Imerit i duhet lëvizje e shpejtë për të shpresuar për pjesëmarrje në Botëror

Kastriot Imeri vlerësohet prej futbollistëve më të talentuar në Zvicër. Por aktualisht 22-vjeçari nuk është duke luajtur. Dhe situata aktuale zvogëlon në maksimum gjasat e kosovarit që të jetë pjesë e Zvicrës në Kampionatin Botëror që mbahet më vonë këtë vit, raporton Koha.net.

Mesfushori Imeri është pjesë e skuadrës së Superligës zvicerane, Servette. Me Servetten ka kontratë vetëm deri në qershor të vitit të ardhshëm. Si Imeri ashtu edhe drejtuesit e klubit janë të interesuar për një transferim të tij gjatë këtij afati kalimtar. Imeri për hapin e ardhshëm në karrierë dhe për të rritur gjasat që të jetë në ekip të Zvicrës për Botërorin në Katar. Servette për të fituar disa milionë nga shitja e talentit të madh.

Për Servetten, Imeri së fundi kishte luajtur më 19 maj në ndeshjen e kampionatit të kaluar ndaj Baselit. Ai në edicionet e kaluara ishte prej lojtarëve kryesorë në skuadër. Për ndeshjet e këtij edicioni nuk është grumbulluar fare. Nuk është përzgjedhur as për ndeshjen e së dielës ndaj Young Boysit.

Ai po ushtron i vetëm dhe po pret të transferohet. Skuadra si Fiorentina e Brugge kanë shprehur interesimin më të madh, ndërsa janë përmendur edhe klube të tjera. Young Boysi është tjetër opsion, njoftojnë mediat zvicerane.

Te Servette shpresojnë që të marrin rreth 5 milionë franga zvicerane nga shitja e Imerit. Është shumë e lartë marrë për bazë që në janar Imeri mund të vendosë për skuadrën e re dhe t’i bashkohet asaj verën e ardhshme. Nuk përjashtohet mundësia që Imeri të mbetet te Servette dhe të presë fundin e kontratës. Por, kjo me shumë mundësi do ta linte jashtë Botërorit. Në të vërtetë edhe nëse transferohet në ndonjë skuadër, Imeri nuk e ka vendin e sigurt te Zvicra. Ai e ka luajtur vetëm një ndeshje për Zvicrën A, më 12 nëntor të vitit të kaluar në barazimin 1:1 me Italinë. Ishte ndeshje e kualifikueseve për Botëror. Ndaj Bullgarisë më 15 nëntor qëndroi në stol. Në mars e në qershor nuk u grumbullua pasi u kthye te Zvicra 21.

Pritet shumë që Imeri të jetë i rëndësishëm te Zvicra në të ardhmen. Ai është produkt i sistemit zviceran të futbollit. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës. Për U21 të Zvicrës i ka 16 ndeshje e katër gola. Dhe hapi i pritur është përfaqësuesja A. Por, me situatën aktuale ka pak gjasa që hapi i ardhshëm të bëhet me kohë për Botëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button