Kompanitë private realizojnë tendera shtetëror, askush nuk i heton për korrupsion në Maqedoninë e Veriut

Ndërkohë që kërkohej ndonjë shtrat i lirë, ilaç, mbështetje me oksigjen, dhjetëra qytetarë vdisnin çdo ditë nga kovid dhe derisa mjekët dhe i gjithë stafi mjekësor punonin natë e ditë nën maska ​​​​dhe skafandra, dikush kishte menduar se si të fitojë gjatë blerjes së maskave mbrojtëse. reagensëve, pajisjeve, kurse ndërkohë edhe për të blerë automjete luksoze, ka zbuluar Raporti i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKK) për prokurimet publike në gjysmën e dytë të vitit 2021, kur pandemia ishte në kulmin e saj, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Por dyshimet për korrupsion nuk mbarojnë vetëm me zbulimet se të njëjtat materiale dhe reagensë janë blerë në të njëjtën kohë në institucione të ndryshme shtetërore me një diferencë çmimi deri në 500 për qind. Qendra për Komunikim Qytetare zbulon se është shkelur ligji edhe në aspektin se kush i ka zbatuar shumicën e atyre tenderëve.

Në kundërshtim me ligjet, institucionet shtetërore angazhojnë persona dhe kompani të jashtme për të zbatuar prokurimet publike në vend që tenderët të zbatohen nga shërbimet dhe sektorët juridikë, gjegjësisht punonjësit të cilët marrin rrogë për atë në ato institucione, ka zbuluar kjo organizatë joqeveritare.

Qendra për Komunikime Qytetare, duke analizuar dhjetëra tenderë të realizuar gjatë pandemisë së koronavirusit, ka identifikuar këtë punë të ndaluar në shumë prej tyre. Ai paralajmëron se sjellja e tillë e shfrenuar bart rrezik për konflikt interesi dhe korrupsion gjatë prokurimeve të tilla publike, të cilat nuk kryhen nga punonjës të departamenteve ligjore, por nga persona dhe kompani të jashtme.

“Edhe blerjet për kovid-19 janë nën ndikimin e trendit më të ri në prokurimet publike në vend – e ky është angazhimi i personave të jashtëm në zbatimin e procedurave të prokurimit publik. Mirëpo, këta persona nuk angazhohen si asistencë profesionale për përgatitjen e specifikimeve teknike për artikujt që do të furnizohen, por për zbatimin e procedurave të prokurimit publik”, është pika e veçantë në Raportin e prokurimeve nga institucionet shtetërore në gjysmën e dytë të vitit 2021, kur pandemia ishte tërbuar.

Edhe pse kjo praktikë tashmë është bërë shumë e përhapur, autoritetet përgjegjëse për zbulimin e korrupsionit në prokurimet publike – Policia Financiare dhe Ministria e Brendshme – qëndrojnë mënjanë dhe deri tani, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk kanë zbuluar asgjë.

Kjo praktikë është jashtëzakonisht e diskutueshme, kurse shpesh aplikohet në institucionet shtetërore. Askush nuk mund të garantojë që ata të huaj që menaxhojnë dokumentacionin e tenderit me para publike nuk do të bashkëpunojnë me firmat që duhet të marrin biznesin dhe të manipulojnë të gjithë procesin. Aq më tepër që nuk është e qartë as se si institucionet i zgjedhin këto firma “konsulente”.

“Nuk është e qartë se si institucionet i zgjedhin këta persona apo kompani – sipas çfarë kriteresh, sipas cilës procedurë etj. Vetëm një numër shumë i vogël institucionesh kanë tenderë të posaçëm për këtë, pra kompanitë e jashtme përzgjidhen me anë të një procedure prokurimi publik. Ekziston rreziku i një konflikti të interesave dhe mos ndërmarrje e masave për zgjidhjen e tij. Në asnjë rast nuk ka dokumente që personat apo kompanitë e jashtme të angazhuara nënshkruajnë deklarata për konflikt të interesave, që është detyrim ta bëjnë punonjësit të cilët r zbatojnë prokurimin publik në një institucion”, alarmon Qendra në raportin e publikuar.

Është e tmerrshme që nga tenderët e monitoruar, që janë realizuar me ndihmën e personave apo kompanive të jashtme, nuk mund të shihet ndonjë ndikim i veçantë pozitiv në mënyrën e kryerjes së tenderëve apo në rezultatin e tyre. Që do të thotë, autoritetet shtetërore dhe pushteti vendor hedhin para për avokatë të jashtëm që të zbatojnë tenderët për ndonjë përfitim tjetër misterioz.

Ligji kërkon që për çështje administrative-teknike si prokurimi publik, autoriteti duhet të ketë krijuar një njësi ose të ketë person të caktuar për të zbatuar prokurimin publik.

Sipas praktikës së deritanishme, jo vetëm që ka rreziqe të larta të konfliktit të interesave dhe korrupsionit, por vihet në pikëpyetje edhe zbatimi i Ligjit për Prokurimin Publik. Ai bazohet plotësisht dhe e  rregullon zbatimin e prokurimeve nga persona, organe dhe trupa në vetë institucionet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button