Për vendosjen e fotovoltaikëve mbi çati dhe prodhim të energjisë personale u nevojiten 8.000 euro, por vështirë merret leje

Po rritet interesi tek qytetarët për të ndërruar matësit dhe të vendosin sisteme fotovoltaike në çatitë e shtëpive të tyre për prodhim të energjisë elektrike për nevoja personale ose për shitje. Pas ndryshimeve ligjore me të cilat u lejua vendosja e elektrocentraleve fotovoltaike për qytetarët deri në 6 kW, qytetarët shpëtimin nga faturat e larta të energjisë elektrike e kërkojnë në fotovoltaikët, por në rrugën drejt mbërritjes në këtë qëllim hasin në shumë dilema dhe pengesa, të cilët për momentin vështirë tejkalohen, shkruan Dojçe Vele, njofton Portalb.

Nga EVN Elektranat për Dojëe vele konfirmojnë se ka interes të rritur, që është edhe e pritur pas ndryshimeve ligjore. Kërkohen më shumë informacione rreth ndërrimit të matësve dhe kush do të bartë shpenzimin për to, por edhe për procedurat e shumta komplekse për të prodhuar energji elektrike për vete, ndërsa teprica eventuale të shitet.

“Qytetarët po shfaqin interes më të madh për vendosje të centraleve fotovoltaike deri në 6 kW në çatitë e tyre, ku një nga çështjet kryesore është përgjegjësia dhe kostoja e ndryshimit të matësit nga ai me një drejtim në atë me dy drejtime. Ata drejtohen deri te në Elektrodistribucioni me udhëzime të mëparshme lidhur me realizimin e procesit të regjistrimit të amvisërive si pjesëmarrës të ri në sistemin e shpërndarjes – ‘konsumator-prodhues'”, thonë nga EVN.

Ka interes, por institucioneve u mungojnë kuadro dhe kapacitete. Nga EVN thonë se momentalisht po përballen me angazhim tepër të madh të EVN Elektranat dhe nënkontraktuesve, si dhe me mungesë të kapaciteteve për realizimin e projekteve në treg.

Faktin që interesimi i qytetarëve për të siguruar energji elektrike nga burimet e rinovueshme po rritet jashtëzakonisht shumë, e konfirmojnë edhe kompanitë private që merren me instalimin e fotovoltaikëve. Biznesmeni Zoran Mitreski thekson se ka një numër të madh të njerëzve, të cilët kanë dëshirë dhe synojnë të investojnë në sistemin e tyre fotovoltaik. Ai i ka ndarë në rrjetet sociale të gjitha dilemat dhe problemet me të cilat ballafaqohen pas dispozitave të reja ligjore që hynë në fuqi këtë verë, të cilat u hapën rrugë qytetarëve për të shitur energjinë e tepërt.

Sipas njohësve të kësaj problematike, ndryshimet ligjore që kanë hyrë në fuqi nuk janë sqaruar sa duhet dhe kjo krijon dyshime tek qytetarët e interesuar për një investim të tillë. Shumë njerëz kanë dyshime nëse do të kenë fitim nga investimi i tillë.

“Sigurisht që ka dilema dhe për këtë ne vendosim një qasje të hapur dhe të sinqertë ndaj të gjithë të interesuarve duke shpjeguar se si të përdoret sistemi fotovoltaik në mënyrën më fitimprurëse”, thonë nga EVN Elektranat. Ata e bëjnë me dije se perceptimi i amvisërive të interesuara për përdorimin e sistemeve fotovoltaike është kryesisht i gabuar dhe në drejtim të furnizimit me energji elektrike në periudhën e dimrit për shkak të uljes së kostove të ngrohjes, furnizimit me energji elektrike kur sistemi i shpërndarjes do të ishte jashtë funksionit dhe arritjen e pavarësisë së plotë nga furnizimi me energji elektrike.

“Të gjitha këto kërkesa janë joreale dhe ne i drejtohemi të gjithë të interesuarve me një shpjegim se në cilin rast sistemi është fitimprurës dhe si duhet planifikuar konsumi i energjisë elektrike kur instalohet një sistem fotovoltaik në një amvisëri. Shitja e tepricës së prodhuar elektrike është zakonisht interes dytësor, por asnjëherë nuk përjashtohet nga çështjet”, sqarojnë nga EVN.

Sipas Mitreskit, që të shqyrtohet kërkesa për përgatitjen e zgjidhjes së mundshme teknike për kyçjen e një njësie gjeneruese në rrjetin shpërndarës, qytetarët duhet të paguajnë në EVN Elektrodistribucija 7000 denarë. Për objektin ku është instaluar impianti i prodhimit kërkohet vërtetimi i pronësisë, më pas projekti bazë për impiantin e prodhimit (fazat: elektrika, statika, arkitektura dhe revizion) me çmim 700-1000 euro.

Nevojitet zgjidhje për ngritje apo miratim për ndërtimin e pajisje për prodhim nga vetëqeverisja lokale me pagesë të tarifës sipas tarifës, vendosja e njehsorit të dyanshëm nga furnizuesi Universal me çmim prej 12.000 denarë dhe në fund realizimi dhe instalimi i vetë sistemit deri në 6 kW me çmim të tregut 5-6500 euro varësisht nga cilësia e pajisjeve.

Në një prononcim për media në qershor të këtij viti, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sqaroi se për të vendosur fotovoltaikë, është e nevojshme që amvisëria të zëvendësojë matësin e tanishëm me matës që ka hyrje dhe dalje të energjisë elektrike. Kështu, familjet do të mund të shkëmbejnë energjinë e tepërt me operatorin dhe më pas energjia elektrike e prodhuar do të mund të kompensohet ose tarifohet.

“Nëse më parë ishte e lejuar 4 kW, tani me Rregulloren e re lejohet prodhimi i 6 kW, kështu nëse një amvisëri përdor vetëm 2 kW energji të tepërt, mund t’ia dorëzojë EVN-së, e cila është furnizues Universal. Kështu familjet mund të bëjnë shkëmbime dhe më pas energjia elektrike e prodhuar të kompensohet apo të tarifohet”, tha ministri Bekteshi.

Thotë se ka kompani private që vendosin panele të tilla, për montimin e të cilave nevojitet konfirmim nga mbikëqyrja sipas Ligjit për ndërtim, ligj që do të pësojë ndryshime në periudhën e ardhshme për të thjeshtuar procedurat për stimulimin e energjisë së gjelbër.

Lidhur me dilemën se me cilin çmim do të blihet energjia elektrike e prodhuar nga shtëpitë fotovoltaike, EVN Elektranat tha për Dojçe Vele se rregullorja e fundit kufizon çmimin e blerjes së energjisë së tepërt të prodhuar nga familjet që furnizohen nga Furnizuesi Universal në 90 për qind të çmimit me të cilin Furnizuesi Universal e ka blerë atë nga ESM gjatë periudhës kontabël prej 6 muajsh.

“Përveç kësaj, bëhet e ditur se nëse për periudhën e llogaritjes energjia e konsumuar është më e vogël se energjia e tepërt e dorëzuar, në atë rast ajo aplikohet para çmimit të blerjes dhe me një koeficient të marrë si sasi të energjisë elektrike të konsumuar/prodhuar, e cila në rastet e tilla është <1”, sqarojnë nga kompania.

Bekteshi pret që deri në fund të vitit të ketë 150-170 kilovat orë energji të instaluar me investime nga amvisëritë dhe kompanitë.

Lidhur me dilemat që janë shfaqur në opinion për shpenzimet shtesë për shpërndarje dhe zërat e tjerë me të cilat qytetarët do të ngarkohen në faturat e tyre dhe për të cilat ata nuk janë mjaftueshëm të informuar, EVN thotë se me ndryshimet e fundit në rregulloren ligjore u hoqën shpenzimet për shpërndarja e energjisë elektrike për energjinë që është tepricë e prodhuar dhe e dorëzuar në sistemin e shpërndarjes.

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe i Shërbime të Ujërave në korrik e hoqi tarifën e rrjetit për dorëzimin e energjisë së tepërt të prodhuar nga burime të rinovueshme, siç janë elektrocentralet fotovoltaike që amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël i kanë instaluar dhe e kanë fituar statusin konsumator-prodhues. Qëllimi është që konsumatorët të stimulohen të instalojnë elektrocentrale fotovoltaike.

“Në këtë mënyrë besojmë se një numër i madh i amvisërive do të nxiten që t’i shfrytëzojnë kushtet e volitshme dhe në kohë të krizës energjetike të sigurojnë energji elektrike nga burime personale, në këtë rast nga elektrocentralet fotovoltaike”, tha Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Me këtë vendim, në mënyrë praktike amvisëritë të cilat kanë vendosur elektrocentrale fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 6 kW dhe konsumatorët e tjerë që kanë vendosur elektrocentrale fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 40 kW më nuk do të paguajnë kompensim për përdorim të sistemit të shpërndarjes për tepricën e energjisë elektrike që ata e dorëzojnë në rrjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button