Edhe Ukraina me “hap breshke” drejt BE si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut?
Ukraina mori statusin e vendit kandidat për në BE, brenda më pak se 4 muajsh nga aplikimi, kur sapo kishte nisur agresioni i Rusisë. Por a është ky një tregues se edhe procesi i anëtarësimit do të jetë i shpejtë, apo do t’i nënshtrohet pritjes së stërzgjatur, siç po ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? Në një analizë për Faktoje, ekspertët sjellin në vëmendje precedentët e Ukrainës me fqinjët, njëlloj siç po ndodh me veton e Bullgarisë ndaj RMV, shkruan Faktoje.al.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështesin dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë rrugë evropiane, vendet tona nuk janë konkurrente, ato plotësojnë dhe forcojnë aftësitë e njëri-tjetrit,” shkroi presidenti ukrainas Zelenski në Facebook në mes të qershorit, kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, bashkë me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviç vizituan Ukrainën dhe i konfirmuan atij, mbështetjen për procesin e rindërtimit pas shkatërrimeve të luftës, por dhe për synimin e Ukrainës për t’u bërë vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në takimin që kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi patën me mikpritësin e tyre, presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski u bashkua nëpërmjet lidhjes me video edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Edhe ai, si dy kolegët ballkanikë, shprehu mbështetjen për kandidaturën e Ukrainës për në BE.
Në takimin me homologun ukrainas Denys Shmyhal, po gjatë vizitës në Ukrainë kryeministri Rama ritheksoi:
“…Sot jemi këtu, për të mbështetur në mënyrë të zëshme Ukrainën në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.”
Vite për anëtarësimin, asnjë garanci për sukses!
Ukraina aplikoi për t’u anëtarësuar në BE katër ditë pas pushtimit rus, më 28 shkurt 2022. Që një shtet të anëtarësohet në BE, të gjitha shtetet anëtare ekzistuese duhet të bien dakord dhe vendi duhet të përmbushë disa kritere. Dakordësia u arrit dhe Ukraina mori më 23 qershor statusin e kandidates për në BE.
Procesi për dhënien e statusit Ukrainës, u zhvillua me një shpejtësi rekord, raportoi BBC. Statusi i kandidatit është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Por mund të duhen shumë vite për t’u bashkuar dhe nuk ka asnjë garanci për sukses. Dhe këtë më mirë se kushdo, e dinë vendet ballkanike që janë në një pritje të gjatë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Në fakt, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat shprehën mbështetjen e tyre për kandiaturën e Ukrainës në BE, janë kandidate. Teksa Mali i Zi bashkë me Serbinë, janë më para me procesin e anëtarësimit, duke hapur kapitujt e negociatave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë mbetur në vendnumëro. Shkak është bërë vetoja e Sofjes zyrtare. Bullgaria, shtet anëtar i BE-së ka frenuar aspiratat e Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve të vjetra mbi gjuhën, historinë dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria e ka pësuar nga pengesa që Sofja i bën Shkupit, pasi procesi për të dy vendet ecën paralelisht.
Duke përshëndetur dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Ukrainën, por edhe Moldavinë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Kovaçevski që shkuan më 23 qershor në Bruksel për të takuar udhëheqësit e BE-së, nuk e fshehën aspak zhgënjimin për bllokimin që po u bëhet vendeve të tyre në rrugën europiane. Rama, saktësoi se Ukraina dhe Moldavia nuk duhet të kenë iluzione. Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë pasur statusin e kandidatit prej vitesh, Maqedonia e Veriut që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014.
“Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”, tha Rama.
Zhgënjimin nuk e fshehu as kryeministri maqedonas: “Republika e Maqedonisë së Veriut është vend kandidat prej 17 vjetësh… Por ja ku jemi sot dhe negociatat nuk kanë filluar ende. Do të jem i drejtpërdrejtë, ky që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje e rëndë për besueshmërinë e BE-së.”
Në ditën e dytë të samitit, Bullgaria e hoqi veton, por procesi nuk u zhbllokua. Tashmë, Shkupi, duket se nuk është i bindur për të bërë një tjetër kompromis, siç bëri me ndryshimin e emrit.
Tanja Milevska, gazetare maqedonase që prej vitesh mbulon çështjet e integrimit nga Brukseli, thotë për Faktoje, se varet se sa është e gatshme qeveria maqedonase për të bërë një kompromis dhe për cilat kushte janë të gatshme të bien dakord.
“Nga njëra anë qeveria po përpiqet të arrijë një marrëveshje me një shtet që ka kërkesa jo parimore dhe me sa duket me mbështetjen e mjaft vendeve anëtare të BE-së dhe nga ana tjetër do të duhet të përballet me votuesit, që kanë reagime jashtëzakonisht negative ndaj kërkesave të Sofjes. Pas pajtimit për ndryshimin e emrit dhe ndryshimit të metodologjisë franceze në procesin e negociatave me BE-në, durimi ka sosur te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mbështetja për BE-në vazhdimisht bie në nivele rekord.”, thotë Milevska.
Ukraina në BE para Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?
Pavarësisht rrugëtimit të vështirë të deritanishëm dhe ‘lodhjes’ në pritje të elitës politike, mbështetja publike në Shqipëri për perspektivën e anëtarësimit të vendit vazhdon të jetë solide. Një sondazh i kryer para shpërthimit të COVID-19 tregoi se 97% e shqiptarëve janë pro të integrimit në BE. Por a ndikoi mosnisja e negociatave te mbështetja që shqiptarët kanë për BE dhe a vihet re një lodhje nga kjo pritje e gjatë?
Gledis Gjipali nga Lëvizja Europiane në Shqipëri thotë se lodhjen e sheh më shumë tek administrata shtetërore, e cila duhet të çojë përpara reformat dhe të jetë e angazhuar tërësisht në proces.
“U bë tashmë një periudhë disavjeçare që ndonëse bëhen trajnime, simulime, rishikohen plane pune, ngrihen struktura të reja, ende nuk dihet kur mund të fillojë faza e negociimit. Kjo ka sjellë një dekurajim dhe ulje të pritshmërive nga procesi. Sa i takon qytetarëve dhe sipas sondazheve të fundit nuk ka ulje të mbështetjes për anëtarësim, ajo mbetet e lartë njësoj si në 15 vitet e fundit,” shprehet Gjipali për Faktoje.
Shifrat për mbështetjen për integrimin nuk janë tw njwjta si në Maqedoninë e Veriut. Mbështetja publike për anëtarësimin në BE ka rënë gradualisht për më shumë se një dekadë dhe tani qëndron në 68%.
Gazetarja Tanja Mileska dyshon se Ukraina do të përparojë shumë shpejt në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Statusi kandidat që iu dha, është kryesisht një gjest simbolik, por për shembull ata nuk janë përfshirë në Instrumentin e Para-anëtarësimit të njohur si IPA. Institucionet e BE-së kanë nxituar dhënien e këtij statusi për të dërguar një mesazh politik, por në sfond asgjë nuk është gati për t’i bërë pjesë të Unionit këto vende, veçanërisht Ukraina, që është një vend i madh dhe shumë i populluar, anëtarësimi i së cilës do të nënkuptonte një zhvendosje serioze të pushtetit në Lindjen e Evropës. Nuk jam e sigurt që europianoperëndimorët janë gati ta pranojnë lehtësisht. Për të mos përmendur faktin se nëse korniza negociuese e propozuar nga presidenca franceze pranohet nga vendet anëtare dhe nga Maqedonia e Veriut, de facto dhe de jure do të paraqesë një precedent të rrezikshëm – atë të bërjes së procesit negociues të BE-së një proces që mund të “rrëmbehet” nga një shtet anëtar për të zgjidhur çështjet dypalëshe historike dhe identiteti me vendin kandidat. Kjo është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e BE-së dhe për më tepër nuk mbulohet nga legjislacioni (acquis) i BE-së. Duke ditur se si Ukraina ashtu edhe Moldavia kanë probleme historike me fqinjët e tyre, respektivisht Poloninë dhe Rumaninë, kjo nuk i shkon në favor procesit të tyre të anëtarësimit,” deklaron Milevska për Faktoje.
Për Gledis Gjipalin, dhënia e statusit kandidat Ukrainës pas vetëm 100 e pak ditë nga aplikimi, është një gjest i fortë politik, por që sipas tij do të ketë efekte pozitive edhe tek vendet e Ballkanit.
“Gjithsesi finalizimi i anatarësimit të Ukrainës do të dojë shumë kohë dhe ka plot pengesa. Vetë presidenti francez Macron, pas dhënies së statusit u shpreh që do të duhen vite e dekada që Ukraina të jetë një shtet anëtar i BE-së. Rëndësia e kapjes së momenteve historike nuk duhet neglizhuar nga vendet e Ballkanit dhe Shqipëria specifikisht, aq më tepër që ne kemi humbur disa herë raste të tilla,” thotë Gjipali.
“Duhet të jemi gati që në këtë frymë solidariteti që po krijohet për shkak të luftës në Ukrainë të bëjmë një hap cilësor në proces dhe të kemi argumentet që reformat e brendshme dhe europianizimi i vendit janë në cilësinë e shpejtësinë e duhur”, shton ai.