Meta: Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi të kurorëzojë njohjen reciproke

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i vetmi mekanizëm që siguron një zgjidhje të qëndrueshme për të dyja shtetet dhe për rajonin.

Gjatë adresimit para Kuvendit të Kosovës, Meta tha më 22 korrik se ka ardhur koha që procesi i dialogut të rivitalizohet dhe të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare.

“Mendoj se ka ardhur koha që mekanizmi i dialogut të rivitalizohet, por duke qëndruar gjithmonë në themelet e veta qëllimore, për të prodhuar një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve, që kurorëzon njohjen reciproke”, tha Meta, transmeton REL.

Meta, që po zhvillon vizitën e fundit në Kosovë në cilësinë e presidentit të Shqipërisë, tha se dialogu po ashtu i ka dhënë mundësinë Serbisë që të pranojë që “pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pandryshueshme”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e raporteve më 2011. Kosova insiston se një marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Presidenti shqiptar, po ashtu, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të shtojnë bashkëpunimin strategjik dhe të kenë synim Bashkimin Evropian.

Ai, po ashtu, kërkoi që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pasi tha se ky është “një diskriminim që lexohet nga të gjithë dhe pranohet nga të tërë”.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza në Zonën Shengen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button