RMV nga e enjtja deri të dielën valë e nxehtë me temperatura mbi 40 gradë

Nga e enjtja deri të dielën Maqedonia do të preket nga valë e nxehtë me temperatura shumë të larta dhe mot të thatë. Temperaturat ditore në pjesët jugore të vendit do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, ndërsa në pjesën më të madhe të territorit do të aktivizohet niveli portokalli i rrezikut nga temperatura të larta, njoftojnë nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike (DÇHM).

Ndryshe, parashikimet afatgjata në faqet meteorologjike ndërkombëtare parashikojnë temperatura jashtëzakonisht të larta dhe mot të thatë që do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, me temperatura ditore të ajrit përgjatë Luginës së Vardarit dhe pjesët jugore të Maqedonisë që do të sillen ndërmjet 35 dhe 40 gradë Celsius.

Gjatë ditëve në vijim edhe në Shkup do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë, temperaturat ditore të ajrit do të arrijnë deri në 39 gradë Celsius. Moti i nxehtë në Maqedoni vjen pasi vendet e Evropës Perëndimore u përfshinë më parë nga një valë e nxehtë me temperatura rekord të larta. Në aeroportin Heathrow të Londrës u matën 40,2 gradë Celsius për herë të parë në histori, raporton Guardian. Temperaturat mbi 40 gradë janë matur këto ditë edhe në Francë, ndërsa në Spanjë dhe Portugali në disa pjesë janë matur mbi 45 gradë.

Valët e të nxehtit në mbarë Evropën, por edhe në Maqedoni, janë shpeshtuar vitet e fundit, zgjasin më shumë dhe shkaktojnë dëme të mëdha në sektorë të ndryshëm, nga shëndetësia e deri te energjetika. Të kombinuara me erërat e forta dhe periudhat e thata, këto valë të nxehtit që janë rezultat i ndryshimeve klimatike shkaktojnë zjarre me përmasa jashtëzakonisht të mëdha.

Sa i përket ngrohjes globale dhe ndikimit të saj në vendin tonë, vitin e kaluar DÇHM për pjesën më të madhe të vendit konkludoi se ka pasur një “vit shumë të nxehtë”, sepse temperaturat mesatare të ajrit i kanë tejkaluar temperaturat mesatare vjetore për periudhën 1981-2010. Pra, devijimet nga temperatura mesatare e ajrit në vitin 2021 kanë lëvizur nga -0.3 deri në 1.1 gradë Celsius gjatë periudhës referuese 1981-2010. Devijime të ngjashme pozitive të temperaturave mesatare të ajrit janë matur edhe në vitet e kaluara në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button