Presidenti Biden e përshëndeti hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti amerikan Joe Biden përshëndeti hapjen e bisedimeve nga ana e Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ato janë të rëndësishme për të çuar përpara integrimin të Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik.

“Në një kohë kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion”, shprehet ai në një deklaratë.

Presidenti Biden thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa këto vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit.

“Hapat që BE-ja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për rritje përkushtimin për përkushtimin të tyre”, përfundon deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

LEXO: Pas 17 vitesh, Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet qasëse me BE-në

Sot në Bruksel u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në gjuhën maqedonase lexoi fjalën hyrëse. Pas përfundimit të skriningut, është planifikuar Konferenca e dytë ndërqeveritare, në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button