Bazilika e Ladorishtit u ka shërbyer arbërve (FOTO)

Në Ladorisht të Strugës, vendbanim që shtrihet në shpatet e Jablanicës, rrugës që të çon për në Shqipëri, është zbuluar një monomet me vlera të mëdha arkeologjike, që në gjuhen e arkeologjisë quhet  Bazilikë. 

Dr. Mixhait Pollozhani, nga Universiteti Shtetëror i Tetovës thotë se në Pellgun e Ohrit nuk ekziston vetëm bazilika e Ladorishtit, por të tilla ka edhe në Ohër, Lin, e gjetkë, të cilat nën gërmadhat e tyre fshehin histori interesante për të kaluarën e këtij vendi. 

“Bazilikat, janë objekte kristiane të kultit, të periudhës së mesjetës së hershme dhe si të tilla janë mjaftë të përhapura në nënqiellin e Pellgut të Ohrit”, pohon Dr.  Mixhait Pollozhani, dhe nënvizon se: “Këto objekte në këtë nënqiell janë ndërtuar gjatë periudhës më të dhimbshme por, edhe më të pandriçuar të Gadishullit Ballkanik”. 

Bazilikat argument i zhvillimit kulturor

Ndërtimin e disa bazilikave në një hapësirë kaq të ngushtë territoriale, dhe atë vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohore Pollozhani e konsideron si një argument akoma më të fuqishëm, për të dëshmuar nivelin e lartë të zhvillimit kulturor të banorëve të këtij rajoni, ndërsa e lidh edhe me nevojën që ka ndier kjo popullatë për objektet e kultit. 

Kristianizmi në viset tona ka filluar shumë më herët, që në shekujt e parë të epokës së re, pohon Pollozhani, por ai është anatemuar dhe ndaluar nga romakët, të cilët i kanë terrorizuar besimtarët e kësaj feje, ndërkohë që legalizimi i kristianizmit bëhet vetëm në vitin 313, nga ana e perandorit romak, Konstandin, me shpalljen e “Ediktit të Milanit”. 

Pollozhani shpjegon se: “Prejardhja e fjalës bazilikë rrjedh prej greqishtes së vjetër, bazileus – mbret. Ndërsa bazilikat janë emëruar të tillë, sipas pallatit në të cilin peshkopi i njohur me emrin – Bazileon ka kryer shërbimet e tij fetare”, thotë Pollozhani.

Bazilikat, me elementet e saj përbërëse arkitektonike, siç janë: naosi, anekset, atriumi, baptisteriumi, etj, sipas mënyrës së ndërtimit, dëshmojnë se kanë filluar të ndërtohen që në periudhën e antikës së vonshme. Përballë hyrjes së bazilikave qëndron një e nxjerrë gjysmëharkore, që ndryshe njihet si – apsidë. Aty është vendi në të cilin fillimisht është ulur gjykatësi, kurse gjatë periudhave të më vonshme ulej – peshkopi, përshkruan Pollozhani.

Bazilikat presin vizitorët ! 

Në gjuhën e arkeologjisë, objektet e përhapura në këtë rajon, njihen si – bazilikat paleokristiane, me të cilat Pellgu i Ohrit me të vërtetë është mjaft i pasur. Krahas bazilikës së Ladorishtit, duhet përmendur edhe bazilikat në fshatin Oktis, (rrethi i Strugës), në Shën Erazmo në Podmol të Ohrit, ato në qytetin e Ohrit, siç janë, bazilika nën kishën “Shën Sofia”, Bazilika shumëkonkale-intra muros (brenda murit) , bazilka në Stundeçishtë (Ohër), etj., pohon Pollozhani. 

Në grupin e bazilikave paleokristiane të Pellgut të Ohrit, ai thotë se bënë pjesë edhe bazilika e njohur në fshatin Lin të rrethit të Pogradecit në Shqipëri, i cili shtrihet buzë liqenit, vetëm pak kilometra larg Ladorishtit. 

Bazilika e Ladorishtit është zbuluar gjatë vitit 1951, hulumtimet në të kanë vazhduar disa vite me radhë, dhe sipas mënyrës së ndërtimi dhe disa elementeve arkitektonike është konstatuar se kjo bazilikë është ndërtuar në fundin e shekullit të V-të dhe fillimi i shekullit të VI-të. Ajo është e ngjashme me bazilikën te Studençishta e Ohrit.

Dyshemetë e bazilikës së Ladorishtit janë të mbuluara me mozaikë, dhe dekorimi te narteksi është realizuar në tre fusha kryesore. Në dekorimin mozaikal, hasen elemente të ngjashme me ato të monumenteve të këtij lloji të rajonit të Ohrit. Motivet më të shpeshta janë: peshqit, mburoja e amazonave, lule me katër petale, lotoset, etj. “Dekorimi mozaikal është bërë me motive nga ambienti rreth e qark, pra nga flora dhe fauna e liqenit të Ohrit dhe nga tradita vendase”, thekson arkeologu Mixhait Pollozhani.

Bazilika e “Shën Erazmos” është zbuluar në vitin 1874, dhe ndodhet në afërsi të fshatit Podmol rreth 7 kilometra larg qytetit të Ohrit. Aty pranë ndodhet Spitali i Eshtrave, që e mban po të nijetin emër. 

Në aspektin arkitektonik kjo bazilikë përbëhet nga naosi tri anijëshe, atriumi, narteksi, anekset anësore dhe baptisteriumin ( vendin e kryqëzimit). Dyshemetë e narteksi dhe naosit janë të dekoruar me mozaikë me tematikë gjeometrike dhe nga bota shtazore. Hapësira e altarit është dekoruar me mozaikë, që është rast i vetëm i mënyrës së dekorimit në rajonin e Ohrit. Sipas stilit të mozaikëve kjo bazilikë rezulton të datojë nga mezi i shekullit të V-të.

Bazilikat u kanë shërbyer Arbërve

Bazilika e Linit ka formë katërkonkale. Ajo është zbuluar gjatë vitit 1970, dhe përbëhet nga baptisteriumi,ndërsa poashtu, si dhe të tjerat e këtij rajoni është e dekoruar me mozaikë. Ajo është e ngjajshme me bazilikën më të madhe shumëkonkale në Kalanë e Ohrit. Supozohet se bazilika e Linit ka shërbyer si rrezidencë verore për të parët e Peshkopatës së Ohrit. Por, shtrohet pyetja: kujt i kanë shërbyer këto monumente kristiane të kultit? 

Arkeologu Pollozhani thotë se ata i kanë shërbyer popullatës autoktone vendase, që siç dihet kanë qenë – Arbërit. Ai argumenton se fiset sllave asokohe akoma nuk e kishin kaluar limesin romak në Panoni, ndërsa ekzistimi i kulturës së hershme mesjetare shqiptare në Pellgun e Ohrit, kulturë kjo që në fakt i ka paraprirë qenies shqiptare, është nje realitet arkeologjik.
“Duke filluar që nga antika e vonshme, mesjeta e hershme, vorbullat e periudhës bizantine, pikërisht përhapja dhe zhvillimi i kristianizmit në Pellgun e Liqenit të Ohrit, gjatë periudhës paraskenderbejane, fuqizon dominimin e fisit të shquar mesjetar shqiptar, Gropaj.thotë arkeologu Mixhait Pollozhani.

Ai vë në pah një fakt sa interesant, aq edhe paradoksal. Ndonëse bazilika e Ladorishtit është e ruajtur mirë, ajo nuk vizitohet fare nga dashamirët e trashëgimisë kulturore. Aq më tepër për të fare pak dinë edhe shumica e vetë banorëve të këtij rajoni, përfundon  Dr. Mixhait Pollozhani.

Lajme të ngjashme

Back to top button