Deputetët e Maqedonisë së Veriut do të formojnë grupe pune për vërejtje ndaj propozimit francez

Partitë politike do të formojnë grupe punuese, të cilat do të punojnë për propozim-vërejtjet ndaj propozimit francez për heqjen e vetos bullgare për integrimet evropiane të Maqedonisë. Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski, tha se nesër pritet të jetë takimi i parë, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Ai thotë se kjo ka ardhur pas thirrjes së liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për të diskutuar për ndryshime, që do ta përmirësojnë propozimin dhe do të përfshihen vërejtje të caktuara në lidhje me çdo gjë që është e dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare.

Micevski thotë se propozimi është që në ato grupe punuese të partive politike të jenë dy përfaqësues nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, një nga BDI dhe Aleanca dhe një tjetër nga partitë më të vogla politike parlamentare.

Siç shtoi ai, takimi i parë pritet të jetë nesër, ndërsa koha dhe vendi ende nuk janë caktuar përfundimisht. Përbërja e personelit të këtyre grupeve të punës do të miratohet gjatë ditës.

Në konferencën e sotme për media me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se i takon Kuvendit të vendos nëse do të merret vendim për fillimin e negociatave menjëherë.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button