Diplomoi gjenerata e katërt e studentëve të UNT-së

Me një ceremoni solemne dhe në prani të shumë mysafirëve, stafit akademik dhe prindërve, Universiteti “Nënë Tereza” në sheshin “Skënderbeu” në Shkup përmes ndarjes së certifikatave, përcolli gjeneratën e katërt të absolventëve, të përbërë nga 250 të diplomuar, njofton Portalb.

Siç njoftojnë nga Universiteti “Nënë Tereza”, në gjeneratën e katërt të Universitetit kanë diplomuar 250 studentë, ndërsa studentët më të mirë të pesë fakulteteve u shpallën: Xhenete Aliji nga Fakulteti i Shkencave Informatike me notë mesatare 9.1, Fatime Ed’hemi nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike me notë mesatare 9.61, Agon Shaini nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë me notë mesatare 9.80, Merlinda Ibraimi nga Fakulteti i Shkencave Teknike me notë mesatare 9.91, Kushtrim Ukshini nga Fakultetii i Shkencave Sociale me notë mesatare 9.93.

Rektori i UNT-së akademiku prof.dr. Izet Zeqiri porositi studentët që asnjëherë mos t’i mbyllim librat, por të punojnë që të arrijnë suksese sa më të mëdha.

“Ne synojmë të prodhojmë profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do jenë të barabartë me koleget dhe kolegët e tyre nga Bashkimi Evropian, pjesë e së cilit do jemi në të ardhmen. Unë uroj që të diplomuarit tanë, kudo që vendosin të ndërtojnë karrierën e tyre, të jenë në ballë të proceseve, të jenë menaxherë të kompanive, të paktën aty të aspirojnë”, tha Zeqiri.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri theksoi se udhëtimi i të diplomuarve për të arritur deri këtu është vërtetimi më i mirë se sakrifica për të themeluar këtë institucion ia ka vlejtur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button