RMV, u publikuan rezultatet preliminare të maturës shtetërore, nota mesatare 3.78
Qendra Shtetërore e Provimeve informoi se sot janë publikuar rezultatet preliminare të maturës shtetërore, 12 ditë më herët nga afati ligjor. Po të njëjtat do të dërgohen nëpër shkolla, kurse mund edhe në formë elektronike çdo kandidat t’i shikojë ato, transmeton Portalb.mk.
Rezultate duke u lajmëruar, mund të shihen në http://rezultati.dic.edu.mk.
Matura shtetërore këtë vit u realizua në përputhje me marrëveshjen me nxënësit e shkollave të mesme, përkatësisht dy provime eksterne, dy interne dhe detyrë projektuese dhe programe të shkurtuara.
Nota mesatare e provimeve eksterne nga rezultatet preliminare është 3.78 dhe është më e lartë në krahasim me vitin e kaluar kur ajo ishte 3,61.
“Pason periudha e ankesave, përkatësisht deri më 5 korrik 2022 nxënësit do të mund të parashtrojnë ankesa nëpër shkolla. Rezultatet nga ankesat QSHP-ja do t’i publikojë më 11 korrik 2022. Këqyrja e testeve personalisht nga ana e kandidatëve është më 13 korrik në QSHP, pas paraqitjes paraprake dhe caktimit të terminit nëpërmjet telefonit më 12 korrik 2022”, njoftuan nga Qendra Shtetërore e Provimeve.
Për të gjitha informacionet plotësuese maturantët mund të informohen nga komisionet shkollore të maturës në shkollat e tyre dhe në www.matura.gov.mk.