“Administratorët e MO-së” ende presin transferim, disa janë larguar jashtë vendit, ndërsa disa kanë dhënë dorëheqje
Pasi shumë vite qëndruan në shtëpi dhe merrnin rrogë, qeveria vitin e kaluar u përpoq të përfundojë procesin e shpërndarjes së punonjësve sipas programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, jashtë kritereve për sistemin e meritës. Mirëpo, nga të dhënat që kemi siguruar, rezulton se ky proces nuk ka përfunduar ende, pasi për 137 punonjës procedura është ende në vazhdim dhe 162 personave të caktuar u është ndërprerë marrëdhënia e punës, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Vllatko Stojanovski
Gjatë vitit 2021, Qeveria pranoi planin e përgatitur nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet (ish-Sekretariati i Përgjithshëm për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë), i cili mundësoi rishpërndarjen e mbi 1300 të ashtuquajturve “administratorë kornizë” në pothuajse të gjitha institucionet e nivele të ndryshme.
Në fakt, bëhet fjalë për individë që u përkasin komuniteteve “më të vogla” etnike, të cilët ndër vite janë punësuar në kuadër të programit K-5 në ish-Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, të transformuar së fundi në Ministri të Sistemit Politik, për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe adekuat në administratën shtetërore dhe në sektorin publik.
Sa i përket “administratorëve kornizë”, të cilët për shumë vite kanë marrë rroga buxhetore pa shkuar fare në punë, hulumtimi gazetaresk ka zbuluar se që nga viti 2008 sipas programit K-5 janë punësuar më shumë se 3500 persona, ndërsa janë shpenzuar 100 milionë euro nga buxheti për pagat e tyre (janë marrë parasysh buxhetet në këtë periudhë ).
Me kalimin e viteve ato u shpërndanë gradualisht nëpër institucione të ndryshme, kështu që gjatë shpërndarjes së fundit të vitit të kaluar në MSPMK kishte rreth 1400 punonjës. Nga të gjithë ata, sipas të dhënave nga vetë Ministria, vetëm 44 persona kanë qenë të punësuar realisht dhe të gjithë të tjerët kanë qenë të punësuar vetëm formalisht.
Kështu, vitin e kaluar mbetën të pashpërndarë saktësisht 1357 “administratorë kornizë”, për të cilat Ministria përgatiti plan që Qeveria e pranoi për transferim në gjithsej 258 institucione, pasi Kuvendi paraprakisht miratoi Ligjin për rishpërndarjen e këtyre zyrtarëve administrativë.
Proces i (pa)suksesshëm
Më shumë se një vit pasi qeveria hartoi plan për transferimin e “administratorëve të kornizës” tek institucionet e tjera, lind pyetja se si shkoi apo si shkon zbatimi i planit? A janë të caktuar të gjithë punonjësit e kësaj kategorie dhe a janë të gjithë ata në vendet e punës në të cilat janë caktuar?
Nga Qeveria pohojnë se së bashku me Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, kanë realizuar me sukses procesin e shpërndarjes së stafit administrativ të punësuar në sipas Programit K5.
“Sipas të dhënave të fundit, janë shpërndarë gjithsej 1349 punonjës administrativë, prej të cilëve janë realizuar transferime për 1023 punonjës administrativë, ndërsa procedura për shpërndarjen e 137 punonjësve administrativë është në vazhdim e sipër”,u përgjigjën nga Qeveria.
Prej atje shtojnë se 162 punonjësve administrativë u është ndërprerë marrëdhënia e punës për arsye të ndryshme si pensioni, largimi nga puna i punonjësit apo i punëdhënësit etj.
“Pra, mbeten edhe 27 punonjës administrativë të cilët janë në fazën e shpërndarjes në varësi të nevojave të institucioneve dhe në korrelacion me aftësitë e tyre të punës”, theksojnë nga Qeveria.
Nga të dhënat që na kanë dorëzuar ministritë e qeverisë, nga ana tjetër, del se diku të gjithë punonjësit e caktuar janë ende në pozitat ku janë dërguar, ndërsa disa prej tyre nuk janë në pozitat e caktuara, që do të thotë se ata nuk janë më barrë e buxhetit në kohën kur është dashur të fillojnë kryerjen e përgjegjësive reale të punës.
Vetëm në një dikaster qeveritar, pra në Ministrinë e Ekonomisë, siç u informuam, nuk është transferuar asnjë staf nga Ministria e Sistemit Politik. Sa për të tjerat, në Ministrinë e Financave (33), Punës dhe Politikës Sociale (5), Kulturës (2), Ekologjisë (2) dhe Vetëqeverisjes Lokale (1) sot punojnë të gjithë zyrtarët e…
Disa nga administratorët asnjëherë nuk janë kthyer në punë
Në konkurrencë me të gjitha ministritë, shumica e “administratorëve kornizë” janë transferuar në Ministrinë për Punë të Brendshme. Bëhet fjalë për 83 persona të marrë, të cilët, siç thonë nga MPB-ja, i kanë plotësuar kushtet për punë në Byronë e Sigurisë Publike dhe në njësitë e tjera organizative. Ndërkohë dy personave u është ndërprerë marrëdhënia e punës.
Edhe në departamentet e tjera për momentin nuk punojnë të gjithë zyrtarët e punësuar sipas Programit K-5. Në këtë drejtim në Ministrinë për Punë të Jashtme janë marrë 14 persona, prej të cilëve, theksojnë, 13 persona kanë punuar në MPJ që nga prilli i vitit 2021, ndërsa një në ndërkohë ka ndërruar jetë.
Po ashtu, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, gjithsej nëntë zyrtarë administrativë nga ky grup janë punësuar të cilët janë caktuar në pozitat përkatëse. Mirëpo, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, një zyrtari administrativ i është ndërprerë marrëdhënia e punës në prill të vitit të kaluar me kërkesë të tij.
Në Ministrinë e Shëndetësisë janë marrë shtatë zyrtarë administrativë, dy prej të cilëve janë transferuar në Inspektoratin Shtetëror Sanitar Shëndetësor (organ në kuadër të Ministrisë), ndërsa një zyrtar administrativ, siç u informuam, ka shfrytëzuar pushimin pa pagesë dhe nuk është kthyer më në punë.
Në Ministrinë e Mbrojtjes janë transferuar gjashtë persona nga MSPMK, kështu që një person është marrë në Zyrën e Regjistrimit këtë muaj, ndërsa një personi i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të siç thonë nga MB, mungesës së pajustifikuar për më shumë se 3 ditë pune radhazi.
Disa nga “administratorët kornizë” janë zhvendosur jashtë vendit
U drejtuam edhe shumicës së shërbimeve të inspektimit, pasi një prej tyre ishte në qendër të vëmendjes së publikut kur diskutohej për këtë proces. Siç dihet, ish-drejtori i inspektoratit të tregut Stojko Paunovski ka refuzuar t’i pranojë të gjithë “administratorët kornizë”, që përfundoi me shkarkimin e tij.
Tani, nga ky inspektorat, nuk kemi marrë përgjigje se si ka përfunduar ky proces, por informacione na janë dorëzuar nga inspektorate të tjera. Një prej tyre është Inspektorati Shtetëror i Arsimit, ku janë vendosur tetë persona dhe sot janë të gjithë në të njëjtat poste. Ngjashëm është edhe në Inspektoratin Administrativ Shtetëror, ku janë marrë gjashtë persona, njëri prej të cilëve nuk është në të njëjtin pozicion, por është larguar nga puna, por është avancuar.
Përveç kësaj, në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë u vendosën më pak “administratorë kornizë”, përkatësisht dy, por njëri prej tyre kishte dhënë tashmë dorëheqje nga puna. Njëri nga tre administratorët e caktuar në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit nuk është më në pozicionin e punës, por aty dihet arsyeja – shkuarja jashtë vendit.
Një rast me daljen jashtë vendit si arsye për ndërprerje të marrëdhënies së punës me njërin nga “administratorët kornizë” është edhe në zyrën e Presidentit të vendit, ku siç u njoftuam nga atje, përmes programit K-5 kanë marrë katër zyrtarë, prej të cilëve njëri ka dhënë dorëheqje pikërisht për shkak të shpërnguljes jashtë vendit.
Sipas informacioneve që disponojmë, shumë prej administratorëve të transferuar nuk kanë pranuar pozicionin e caktuar të punës në institucione të tjera. Për shembull, në Prokurorinë e Shtetit janë caktuar 63 administratorë, por, theksojnë ata, tre prej tyre janë larguar me kërkesë të tyre.
Në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike, ndërkaq, janë marrë gjithsej 12 persona, prej të cilëve 8 janë ende të punësuar, ndërsa katër prej tyre me kërkesë të tyre, përkatësisht me ndërprerje miqësore u është ndërprerë marrëdhënia e punës. Gjatë kësaj periudhe, shtojnë nga DPHM, ka pasur disa situata kur punonjësit janë caktuar të punojnë në Zyrë, por nuk kanë nënshkruar marrëveshje për punësim.
Po ashtu Komisioni Kundër Korrupsionit ka marrë përsipër katër zyrtarë administrativ sipas programit K5 në vendet e punës: bashkëpunëtor i ri për seanca dhe marrëdhënie me publikun, bashkëpunëtor i ri për monitorim dhe evidentim të rasteve në fushën e konfliktit të interesit, bashkëpunëtor i ri për monitorimin e pasurisë dhe interesave dhe nëpunës i ri -arkivist. Rrallë, por njëri prej tyre, gjegjësisht arkivisti, nga shkurti i këtij viti nuk është më pjesë e institucionit.
A do të ketë përgjegjësi?
Profesori universitar Borçe Davitkovski, i cili është ekspert në të drejtën administrative dhe administratën publike, thotë se ministri i Sistemit Politik dhe njëkohësisht zëvendëskryeministri i parë në Qeveri, Artan Grubi, duhet të raportojë për suksesin e këtij procesi të transferimit të “administratorëve kornizë”.
“Edhe më herët ka pasur dëshmi se shumë nga këta persona nuk janë këtu, se janë jashtë vendit, gjë që tani po konfirmohet. Të gjithë ata duhet të përgjigjen penalisht për fitim të paligjshëm të pronës, sepse kanë marrë rrogë, nuk kanë bërë asgjë dhe shumica nuk kanë qenë as në vend”, theksoi ai.
Ndryshe, dukuria e “administratorëve kornizë” përmendet në raportin e “Metamorfozis” për reformat në administratën publike në kontekst të Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, duke theksuar se këta persona të punësuar në kuadër të Programit K5 kanë qenë jashtë kriterit të sistemit të meritës.
“Për herë të fundit Ligji u ndryshua në vitin 2019, kur duhej të formohej Ministria e Sistemit Politik në bazë të marrëveshjes politike dhe koalicionit, një ministri krejtësisht e panevojshme me 35 staf administrativ të punësuar dhe nga e cila mbi 2000 punonjës merrnin paga jashtë të gjitha kritereve të sistemit të meritës, por mbi bazë të përfaqësimit të drejtë të pjesëtarëve të minoriteteve në vend”, thuhet në raport, bazuar në vlerësimin e ekspertëve.
Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, në pjesën për administratën publike, ndër të tjera përmendet fakti se është sjellë një ligj i veçantë për transferimin e nëpunësve publikë në institucione të ndryshme, i cili siç shkruan, të cilët janë punësuar disa vite më parë dhe kanë vazhduar të marrin pagë pa pozicion pune formal dhe pa u paraqitur në punë.
“Disa institucione nuk duan t’i marrin këta punonjës sepse transferohen në pozita që nuk i plotësojnë nevojat e këtyre institucioneve. Kjo procedurë paralele e punësimit ndikon në pavarësinë e institucioneve të tjera në përzgjedhjen e punonjësve të tyre sipas nevojave të institucioneve, duke ndjekur kërkesat për përfaqësim të drejtë”, theksohet në raportin e KE-së, ku theksohet se vendi është “i përgatitur në mënyrë të moderuar për reformat në administratën publike”.