Dhunë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, partitë politike akuzojnë njëra tjetrën (VIDEO)

Në seancën e 39-të të Komisionit për Çështje Evropiane pati tensionim të situatës ndërmjet udhëheqësit të Komisionit, Arber Ademit, dhe anëtarët të Komisionit nga radhët e opozitës nga ku situata kaloi edhe në dhunë fizike. Reagoi Kuvendi si dhe partitë politike, transmeton Portalb.mk.

Situata eskaloi në momentin kur po votohej për rendin e ditës në seancën e 39-të, ku duhet të debatohet për Ligjin për Gjyqtarët, më saktësisht për zgjatjen e punës së gjyqtarëve që i plotësojnë kushtet e pensionimit.

Situata u tensionua në momentin kur kryetari i Komisionit, Arbër Ademi  (BDI) tentoi të mbyll debatin për rendin e ditës dhe të votohet i njëjti. Deputeti Halil Snopçe (ASh) kërkoi fjalën dhe doli në foltore, pas tij edhe Elmi Aziri (ASh). Ndërkaq, deputetja Dafina Stojanovska (VMRO-DPMNE) fiku mikrofonin e foltores në të cilën po mbahej seanca.

Në këtë periudhë, deputeti Antonio Milloshevski (VDMRO-DPMNE) tentoi të ndërpresë votimin duke thyer mikrofonin para Arbër Ademit. Për këtë, Ademi ka reaguar edhe fizikisht, duke gjuajtur me filxhan dhe shishe. Deputetja Arta Bilalli-Zendeli (BDI) mundohej ta qetësojë Ademin, por pa sukses.

Pas kësaj ndërhyri sigurimi i Kuvendit duke nxjerrë jashtë Ademin.

Reagoi Kuvendi

Nga Kuvendi njoftuan se kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, këtë pasdite thirri koordinim urgjent në të cilin ishin të ftuar të gjithë koordinatorët dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend.

“Ftesës ju përgjigjën koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dhe deputetja e Alternativës, Safija Sadiki Shaini. Edhe pse të ftuar, nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e partive opozitare VMRO DPMNE dhe nga Aleanca për Shqiptarët. Kryetari i Kuvendit e thirri koordinimin pasi që anëtarët e VMRO DPMNE-së opozitare, pas plotë dy orëve me vërejtje procedurale e kundërshtuan votimin e rendit ditor të Komisionit të Çështjeve Evropiane”, njoftuan nga Kuvendi.

Nga atje thonë se në koordinim u mor përfundimi se Rregullorja e Kuvendit i jep të gjitha mundësitë për punën e Kuvendit, dhe nuk lejon dhunë në asnjë formë.

“Në koordinim po ashtu u përfundua edhe ajo se qytetarët vetë do vlerësojnë nga incizimet që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale se kush e shkaktoi incidentin në Komisionin e Çështjeve Evropiane. As në vendet e Bashkimit Evropian nuk lejohet dhunë mbi kryesuesin me mbledhjen e trupit punues të Kuvendit”, theksuan nga Kuvendi.

Reaguan partitë politike

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duke mos përmendur veprimet e Ademit theksojnë se dënojnë ashpër dhunën e ushtruar sot në seancën e Komisionit për Çështje Europiane në Kuvend nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE-së bashku me deputetët e Aleancës për Shqiptarët.

“Gjithmonë kur temë e diskutimit dhe në rend dite në Kuvend është vendosja e drejtësisë në vend, VMRO DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët provokojnë dhunë verbale dhe fizike me qëllim që të mbrojnë krimin dhe gjithnjë shfaqen kundër funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësor. Sot në seancën e Komisionit për Çështje Europiane edhe njëherë u dëshmua se VMRO DPMNE dhe partitë tjera opozitare ushtruan dhunë për të bllokuar punimet e Komisionit dhe pikërisht deputetët të cilët janë nën hetime, nxitën incident dhe ndaluan seancën. Bashkimi Demokratik për Integrim informon qytetarët dhe mbarë opinionin se Kuvendi do të vazhdojë të funksionojë në frymën pro perendimore-euroamerikane dhe do ta mbështesë agjendën reformuese në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, informojnë nga BDI.

Në lidhje me këtë incident, ka reaguar e para VMRODPMNE.

“Ish-ministri i arsimit nga BDI dhe LSDM-ja në fizikisht në mënyrë jo-arsimore përleshet fizikisht me kolegët deputet, demostroi dhunë. Kështu sillet kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane. Poshtërim, dhunë dhe fyerje në Parlament! Maqedonia në vend të Evropës u bë një perëndim i egër me “kaubojët” në pushtet”. Dhuna, konfrontimi fizik, fjalori i papërshtatshëm është pasqyra e vërtetë e qeverisjes kriminale të LSDM-së dhe BDI-së. Në vend që LSDM ta dënojë këtë sjellje të dhunshme të Arbër Ademit, ata mbrojtën dhunën dhe e mbështetën këtë sjellje skandaloze”, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët, deputetja Ilire Dauti deklaroi se sot përfundimisht u vërtetua në vepër se pika e dobët e pushtetit të kriminalizuar ka qenë dhe është Pushteti Gjygjësor

“Krimi, korrupsioni, rrugaçëria dhe skenaret e tyre u manifestuan me vandalizëm dhe akte dhune ku me ose pa hiri, u godit edhe Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri. I gjithë ky skenar i turpshëm filloi me tentimin për t’ua zgjatur mandatin gjykatësve dhe prokurorëve partiak të pushtetit, përmes kontrabandimit të ligjit. Pasi që ne kundërshtuam, kryesuesi Arbër Ademi ofendoi personalisht Deputetin Halil Snopçe i cili e ftoi publikisht të kërkojë falje, por nuk ndodhi një gjë e tillë. Më pas, Deputeti Snopçe kërkoi përsëri ndërhyrje procedurale e cila iu mohua dhe tentoi të votohet rendi i ditës. Në shenjë revolte, ne deputetët e Aleancës për Shqiptarët dolëm në foltore që të mbrojmë të drejtën tonë për diskutim dhe të parandalojmë kontrabandimin e ligjit. Pas kësaj pasoi turpi që e pa gjithë opinioni, dhuna dhe vandalizmi i kordinatorit të BDI-së. Kjo nuk është hera e parë që bëjnë skenare të këtilla të dhunshme me qëllim fshehjen e krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Duam të njoftojmë gjithashtu se për sonte u ftuam edhe në kordinim, por ne nuk ulemi në një tavolinë me vandalistë të dhunshëm që nuk kanë të bëjnë as me demokracinë e as me politikën”, deklaroi Dauti.

Nga LSDM thanë se gjithmonë kur është tema e drejtësisë në rend ditë në Kuvend, VMRO-DPMNE është nervoze, destruktive, shkakton tensione, ndërsa sot tentoi edhe të provokojë edhe fizikisht.

“VMRO-DPMNE mbron ashpër kriminelët e regjimit dhe është gjithmonë kundër funksionimit të sistemit gjyqësor. Problemin me mungesën e gjyqtarëve VMRO-DPMNE nuk dëshiron ta zgjidhë vetëm për të ulur efikasitetin e sistemit gjyqësor. Prandaj VMRO-DPMNE po mundohet shumë që ta bllokojë Komisionin Parlamentar, e jo t’ua zgjasë mandatin gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë t’i ngadalësojë rastet gjyqësore. Kush ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi”, reagojnë nga LSDM-ja.

Nga Lëvizja Besa thanë se dhuna s’ka vend në Kuvendin republikan.

“Për çdo ditë vërtetohet se shumica parlamentare po dhunon institucionet me çka humbet edhe më shumë kredibilitetin e institucioneve që udhëheqin. Zgjedhjet parlamentare janë zgjidhja më e mirë prandaj apelojmë që të mbizotron logjika dhe shumica parlamentare të reflekton”, thanë nga Lëvizja Besa.

Nga Alternativa shprehen se dhuna nuk është e lejueshme në asnjë rast, e aq më pak i ka hije kuvendit të popullit.

“Ne e dënojmë secilën trajtë të dhunës dhe të provokimeve të tjera dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që të jenë të matur, të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për detyrën që e kanë të mos lejojnë që të bëhen shembull i keq i përfaqësimit. Urojmë që skena të tilla të mos na përsëriten më”, deklaruan nga Alternativa.

Ndryshe, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët po mundohen të pengojnë miratimin e një zgjidhjeje ligjore me të cilën nuk do të shkaktohet paralizë të sistemit gjyqësor, me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, 60 gjyqtarëve dhe 13 prokurororëve të cilët në shtator duhet të dalin në pension të ju zgjatet angazhimi edhe për tre vjet, periudhë në të cilën brezi i ri i pasardhësve të tyre duhet të del nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Vërejtja kryesore e tyre është se ky vendim nuk është marrë në mënyrë të rregullt, por në procedurë të shkurtuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button