Veniten shpresat për anëtarësim të shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në NATO
Të hënën më 20 qershor, Finlanda, Suedia dhe Turqia u ulën në tryezën e bisedimeve në Bruksel për të diskutuar mbi procesin e bllokuar të anëtarësimit për në NATO, por sipas ekspertëve, shpresat po zbehen se do të jenë në gjendje të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre përpara një samiti të aleancës javën e ardhshme, raporton REL.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u takua me përfaqësues nga të tre vendet për të bërë përparim në aplikimet e anëtarësimit të vendeve nordike, të cilat janë bllokuar nga Ankaraja.
“Unë mendoj se është e mundur, por do të ishte shumë e vështirë,” tha për AFP-në, Paul Levin, drejtor i Institutit për Studimet e Turqisë në Universitetin e Stokholmit, duke shtuar se do t’u kërkonte të dyja palëve të bëjnë kompromis.
NATO dhe dy vendet nordike kishin pritur që procesi i aplikimit të ishte i shpejtë. Por kundërshtimet e Ankarasë e ndalën vrullin, në një kohë kur NATO dëshiron të shfaqë një front të unifikuar kundër Rusisë.
Ankaraja ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë për strehimin e anëtarëve kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e renditur si një grup “terrorist” nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë. Ankaraja ka kërkuar gjithashtu që ata të heqin embargon e armëve ndaj Turqisë.
Çdo marrëveshje anëtarësimi në NATO duhet të miratohet unanimisht nga të 30 anëtarët e aleancës dhe tani po shtohet frika se Turqia mund të vonojë procesin e vendeve nordike për një kohë të pacaktuar.