Deri më tani për regjistrim onlajn në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut kanë aplikuar 6500 nxënës të klasës së nëntë

Deri tani nëpërmjet https://e-uslugi.mon.gov.mk për regjistrim në arsimin e mesëm kanë aplikuar 6500 nxënës, ka informuar për Meta.mk Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Janë mbi 20 mijë nxënës të klasës së nëntë në vend që duhet të regjistrohen në arsimin e mesëm që është i detyrueshëm. Këtë vit regjistrimet për herë të parë organizohen në këtë mënyrë, përkatësisht me aplikim elektronik dhe bashkëngjitje të dokumenteve onlajn. Megjithatë, në datat 16 dhe 17 qershor, nxënësit do të duhet të njëjtat dokumente dhe t’i dorëzojnë në shkolla para komisioneve për regjistrim, për të vërtetuar besueshmërinë e tyre, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Procesi po ecën mirë, nxënësit e plotësojnë aplikacionin dhe i bashkëngjitin dëftesat dhe dokumentet e tjera të nevojshme për regjistrim. Pasi mundësuam qasje në sistemin e regjistrimit qysh më 10 qershor, deri më tani janë regjistruar rreth 6500 nxënës”, tha Shaqiri.

Gjatë ditës së sotme teksa po vijon aplikimi elektronik për regjistrim në shkollat e mesme, janë shfaqur probleme me faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mon.gov.mk e cila herë-pas-here nuk ishte në dispozicion. Arsyeja për këtë, siç theksoi ministri, është se janë duke u instaluar aplikacione të sigurisë, prandaj faqja ka qenë përkohësisht jofunksionale, por kjo nuk ndikon në proces.

Mënyra e këtillë e aplikimit nga shumëkush interpretohet si detyrim i dyfishtë dhe jo si lehtësim, duke qenë se kandidatët nuk mund ta kryejnë detyrën vetëm me regjistrim elektronik, por duhet të paraqiten në shkollë dhe të dorëzojnë certifikatat dhe dokumentet e tjera të nevojshme për regjistrim.

Për prof. Dr. Boro Jakimovski, dekani i ri i Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike, kjo mënyrë e regjistrimit e lehtëson punën e stafit të shkollës që të mos i kopjojë të dhënat nga certifikatat, por thjesht vetëm të kontrollojë dokumentet.

“Ata nuk duhet të shënojnë të dhënat dhe çështja është që të mos shpenzojnë kohë duke kopjuar. Është shumë më e lehtë t’i kontrollosh ato sesa t’i rishkruash. Ministria e Arsimit dhe Shkencës po bën përpjekje që procesi të automatizohet dhe të mos duhet të merren dokumentet për kontroll, por është një proces që kërkon angazhim, mjete dhe kohë”, tha Jakimovski.

Sipas tij, nuk ka nevojë të kërkohet që dokumentet t’i bashkëngjiten në format pdf ose jpg.

“Mendoj se nuk ka nevojë për këtë. Kjo u parapa kryesisht për të shmangur kontaktin fizik gjatë pandemisë, por tani e tutje bashkëngjitja e dokumenteve të skanuara mund të hiqet”, theksoi ai.

Jakimovski vuri në dukje se regjistrimi në universitet në Mbretërinë e Bashkuar, procesi tashmë 15 vjet është i centralizuar dhe gjithçka bëhet në mënyrë elektronike.

“Atje mund të aplikosh edhe në tre fakultete. Tek ne ligji nuk e lejon këtë. Ndërsa sistemi i këtillë elektronik do të zvogëlojë abuzimet në zero, nuk do të ketë vend për shfaqje fiktive të dokumenteve”, ka shtuar profesori.

Ndryshe, autoritetet po mendojnë që në të ardhmen të mundësojnë lëshimin e certifikatave në formë elektronike, që do të ishte një version elektronik i besueshëm i dokumentit, siç është certifikata për kovid.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button