Tetovë, nuk dihet ende sa nxënës janë regjistruar në shkolla të mesme në afatin e parë (VIDEO)

Nesër në ora 15 përfundon afati i parë për regjistrimin online në shkollat e mesme. Në Komunën e Tetovës ende nuk ka informacion se sa nxënës deri tani janë regjistruar në shkolla të mesme pasi drejtorët nuk kanë qasje në sistem, numri i saktë i nxënësve që kanë aplikuar në afatin e parë do të dihet nesër pas orës 15. Kështu bëri të ditur shefi i sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti, shkruan Portalb.mk.

Regjistrimi online për afatin e parë ka filluar me datë 10 qershor dhe i njëjti do të zgjas deri nesër në ora 15. Dorëzimi i dokumenteve në formë fizike nga ana e nxënësve do të bëhet me datën 16 dhe 17 qershor. Afati i dytë i regjistrimit online do të jetë me 21 dhe 22 qershor kurse dorëzimi i dokumenteve me prani fizike do të jetë me 23 dhe 24 qershor. Afati i tretë do të jetë me 28 dhe 29 qershor, dorëzimi i dokumenteve fizikisht me datën 29 qershor pas orës 15.

Në shkollat fillore të Komunës së Tetovës, klasën e nëntë gjithsej e kanë përfunduar 1086 nxënës por numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në shkolla të mesme është më i lartë pasi në shkolla të mesme regjistrohen edhe nxënë nga komunat përreth.

Në shkollat e mesme të Tetovës për vitin shkollor 2022/2023 janë paraparë 2414 vende të lira për nxënësit e viteve të para edhe atë:

  • Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtenj”- 714 vende;
  • Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”- 510 vende;
  • Shkolla e Mesme Tekstile “Gjoce Stojçevski’’- 340 vende;
  • Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori”- 442 vende;
  • Gjimnazi “7 Marsi”- 408 vende.

Nxënësit hasin vështirësi gjatë regjistrimit online, për këtë ka pasur edhe ankesa nga ana e qytetarëve në Komunë.

“Kemi pasur ankesa nga ana e qytetarëve, e pashë se ueb-faqja e ministrisë është jofunksionale por u premtua që ajo do rregullohet brenda kohe. Por kohë pas kohe shfaqen probleme që ma kanë konfirmuar edhe drejtorët e shkollave. Nxënësit dhe prindërit të cilët hasin pengesa gjatë hyrjes nëpër llogaritë e tyre, të drejtohen në shkollat amë konkretisht ku kanë mbaruar shkollimin nëntë vjeçar që nga kujdestarët e klasave tu jepen ato llogari, kemi angazhuar shkollat fillore dhe të mesme tu ndihmojnë gjatë aplikimit”, tha Nazmi Dauti, duke shtuar se nxënësit nuk duhet të bëjnë panik pasi ka edhe dy afate.

Më poshtë ju përcjellim një video të përgatitur nga Bujar Hamiti me udhëzime në gjuhën shqipe si të aplikohet në mënyrë elektronike për shkollë të mesme.

Dauti ndër të tjera sqaroi se nuk është e patjetërsueshme që certifikata e lindjes të jetë më e re se gjashtë muaj, nxënësit do të mund të dorëzojnë edhe certifikata më të vjetra. Përndryshe, në Komunën e Tetovës në klasë të parë gjithsej janë regjistruar 849 nxënës, 705 shqiptar 134 maqedonas dhe 10 turq. Procesi i regjistrimit në shkollat fillore do të vazhdojë deri në muajin gusht.

Ky është viti i parë kur Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka vendosur që regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme të bëhet përmes formës elektronike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button