“Më mirë për Tetovën” kërkon dislokimin e veprimtarive me rrezikshmëri të lartë nga afërsia e qytetit

Lista “Më mirë për Tetovën” thekson se ndan shqetësimin bashkë me banorët e Tetovës për rastin e dy ditëve më parë ku si pasojë e zjarrit në fabrikën e “Pofix” qyteti u mbulua nga tymi e hiri për disa ditë me radhë.

“Fatmirësisht kjo fatkeqësi kaloi pa viktima në njerëz, por të gjithë jemi të alarmuar për faktin që diçka e tillë ndodhi aq afër zonave të banuara në qytet. Dëmi i shkaktuar në shëndetin e tetovarëve është shumë më i madh se dëmet materiale! Ne të gjithë bashkë jemi viktimë, dhe për një periudhë më të gjatë do të jemi të ekspozuar ndaj gazrave dhe pluhurit kancerogjen që ka mbuluar Tetovën.
Duke pasur parasysh edhe vlerësimet e Qendrës për Menaxhim me Kriza që “po që se zjarri do të mbërrinte tek sillosat e gazit, gjysma e Tetovës nuk do ishte” nuk kemi se si të mos trishtohemi për të ardhmen e qytetit. Për këtë arsye kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren masa rigoroze për kontroll të këtyre rezervuarëve dhe njëkohësisht të bëhet dislokimi i tyre në zona ku nuk paraqesin rrezik për qytetarët”, thonë nga “Më mirë për Tetovën.

Ata shtojnë se aksidentet dhe fatkeqësitë mund të ndodhin gjithandej, mirëpo është obligim i institucioneve që të mbrojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve nga katastrofa të mundshme.

“Në këtë rast duhet të kërkohet përgjegjësi, dhe gjithashtu të ndiqen rregullat dhe protokollet në lidhje me veprimtaritë që mund të zhvillojnë operatorët ekonomik në afërsi të zonave të banuara. Kërkojmë nga organet komunale dhe qendrore që të reagojnë menjëherë duke i identifikuar dhe inspektuar të gjithë operatorët ekonomik që paraqesin rrezik potencial për jetën e qytetarëve, dhe të njëjtat të dislokohen në zona ku nuk rrezikojnë qytetarët. Gjithashtu, duke pasur parasysh se Komuna e Tetovës nuk ka mjete adekuate për larjen e rrugëve, kërkojmë që të bëhet bashkëpunim me komunat tjera dhe qeverinë qendrore, që në afat sa më të shkurtë të lahen të gjitha rrugët e Tetovës që të zvogëlohet ekspozimi i qytetarëve ndaj grimcave helmuese të shtresuara në rrugë”, thuhet në reagimin e tyre.

Mungesa e kompetencës dhe papërgjegjësia, siç thonë ata, janë garanci se katastrofa të tilla do të përsëriten, prandaj, shtojnë se, duhet të reflektojmë dhe të mos tolerojmë që raste të këtilla të kalojnë në heshtje dhe pa u ndëshkuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button