Ndotja e ajrit nga zjarri në Tetovë, shoqëria civile e shqetësuar për efektet e ndotjes, autoritetet mendojnë ndryshe
Zjarri i djeshëm që shpërtheu në ndërmarrjen “Pofix” në Tetovë mbuloi qytetin me tym të zi. Ndonëse të dhënat nga Ministria e Mjedisit dhe ministri thonë se cilësia e ajrit është brenda normales, organizatat dhe aktivistët e mjedisit thonë se ajri është i ndotur dhe se i njëjti përveç se ka shkaktuar erë të keqe në qytet, i njëjti ka shkaktuar kokë-dhimbje dhe djegie të syve te qytetarët, shkruan Portalb.mk.
Shoqëria civile dhe ekspertët e fushës së mjedisit dhe jo vetëm, alarmojnë për ndotje të ajrit ndaj të cilës duhet pasur kujdes.
Doktori nga Tetova- kirurg i gjirit- Ivan Karapetrov për ndotjen e shkaktuar në Tetovë thotë se është me elemente të dëmshme dhe kancerogjene dhe grimca djegëse të cilat do të kontribuojnë në rritjen e numrit dhe ashpërsisë së sëmundjeve të mushkërive.
“Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar më tej efektet e dëmshme shëndetësore që mund të çojnë në sëmundje. Fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit që jetojnë drejtpërdrejt në rajon janë veçanërisht të cenueshëm. Ky grup përfshin gra shtatzëna, individët me sëmundje kronike para-ekzistuese të zemrës dhe mushkërive. Një qasje analitike dhe një raport i nënshkruar nga një ekspert do të nevojitet urgjentisht për të studiuar efektet shëndetësore të ndotjes së ajrit, në mënyrë që të përmirësohen vlerësimet e ekspozimit të popullsisë në periudhën e ardhshme, duke këshilluar kështu popullsinë për qarkullimin në rajon”, njoftoi Karapetrov duke apeluar që deri sa gjendja të qetësohet, të përdoren maskat N95 dhe KN95 sa herë që qytetarët dalin nga shtëpia.
Nga organizata e mjedisit “Eco Guerila”, Ngadhnjim Mehmeti thekson se duke u bazuar në atë që thonë ekspertët, djegia e djeshme nga stiropori i cili përbëhet nga polistreni është material kryesisht i bazuar nga plastika- pletroneumi që përmban monomere polistreni të cilat janë kancerogjene dhe përmbajnë monoksid karboni vdekjeprurës.
“Pasojat do të shihen në vijim, dje tymi ishte lartë ndërsa pasojat i shohim sot me erën tepër të keqe, grimcat nga sot kanë filluar të bien në tokë dhe aroma e padurueshme shihet edhe sot. Për fat të keq sot jemi pas një shkolle ku mundeshim të shohim fëmijë si luajnë sot. Në mënyrë të papërgjegjshme fëmijët u detyruan t’i ekspozohen këtij tymi vdekjeprurës dhe kancerogjen”, tha Mehmeti.
Momentalisht ajri në Tetovë është shumë i rëndë, ka aromë shumë të rëndë, e cila irriton organet e frymëmarrjes, kështu shprehet aktivisti i mjedisit, Arianit Xhaferi.
“Normalisht me rekomandimet e shpërndara nga dje, por besoj që edhe sot duhet të vazhdojnë. Qytetarët duhet të mbajnë maska mbrojtëse, të cilat sadopak filtrojnë ajrin që futet në organet e frymëmarrjes. Po ashtu sot janë vërejtur te disa qytetar, përfshirë dhe veten time, djegie të syve, shkaku i aromës së rëndë, si do ishte një djegie plastike, djegie e ilaçeve në ajër. Djegia e stiroporit në ndërmarrjen Pofix gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar një katastrofë ekologjike. Djegia e stiropolit lëshon monioksid të karbonit por edhe blozë. Në sasi të vogla nuk do ishte një dëm i madh, por në sasi të mëdha si e djeshmja, shkakton irritime të ndryshme në organe të frymëmarrjes, prandaj do të ishte më e mençur që sot shkollat dhe çerdhet të mbaheshin mbyllur, pasi tek fëmijët ndikon më shumë, por përveç këtyre është shumë e rrezikshme edhe për gratë shtatzëna por edhe për moshat e thyera që cilët vuajnë nga ndonjë komplikim shëndetësor në organet e frymëmarrjes. Duhet të kemi kujdes të shtuar, pasi sasia e madhe e djegies, e rëndën situatën. Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme kam biseduar me disa persona që ankoheshin edhe për dhimbje koke, shkaku i kësaj situate”, tha Xhaferi.
Edhe nga nisma “Tetova do Park” kritikuan autoritetet se nuk kanë bërë mjaftueshëm përpjekje në drejtim të mjedisit.
“Ka të dhëna se subjektet ekonomike djegin energji të dyshimta, dhe inspektimet nuk kontrollojnë në terren”, njoftuan nga Tetova do Park.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vazhdimisht nga dje dhe sot përmes ueb-faqes së saj dhe profilit në Facebook njofton qytetarët për cilësinë e ajrit në Tetovë, që sipas tyre deri tani nuk ka vend për panik dhe se ajri është brenda vlerave normale të lejuara.
Edhe ministri, Naser Nuredini gjatë mëngjesit të sotëm nga vendi ku ndodhi zjarri tha se qytetarët nuk duhet të bëjnë panik për ndotjen e ajrit.
“Me rëndësi është që ta dinë qytetarët se vlerat e kualitetit të ajrit, tash për tash, janë brenda normalitetit dhe vazhdojmë me koordinimin me kryetarin e komunës dhe do t’i informojmë qytetarët nëse ka ndryshim në vlerat e kualitetit të ajrit. Ky është një rast që për në të ardhmen të mos ndodh edhe njëherë”, deklaroi Nuredini.
Edhe nga Komuna e Tetovës duke u bazuar në të dhënat e ministrisë thonë se ajri nuk është i ndotur deri në atë masë sa që të jetë i dëmshëm.
Mirëpo, me këto qëndrime nuk pajtohen organizatat dhe aktivistët e mjedisit.
Shumë qesharake, ironike dhe cinike, kështu thotë Ngadhnjim Mehmeti nga Eco Guerila për qëndrimin e ministrisë ndaj cilësisë së ajrit në Tetovë.
“Ne kujt t’i besojmë tani, ajrit të keq që e shohim apo numrave që na i shesin ato nëpër monitorë. Kjo është papërgjegjshmëri e skajshme, këto ngjarje që vazhdimisht na ndodhin në Tetovë, vijnë pikërisht nga joprofesionalizmi, nga injoranca, papërgjegjshmëria dhe pandëshkueshmëria institucionale që ndodh. Sot dhe në ditët në vazhdim ne do t’i shohim pasojat”, tha Mehmeti.
Sipas Arianit Xhaferit ndotja e shkaktuar nga djegia e fabrikës nuk ka arritur te senzorët e stacioneve matëse, të cilat nuk tregojnë nivele të larta të ndotjes, por ka arritur në sytë dhe organet e frymëmarrjes së qytetarëve të cilët e ndjenjë.
“Po ashtu vende-vende mund të shihet edhe me sy se ka përqendrime të larta të ndotjes nëpër të gjithë qytetin. Këto janë gjëra që, po flasim për lartësi ku senzorët e qendrave monitoruese nuk i kapin, prandaj ato tregojnë sasi të ulëta të ndotjes, por megjithatë ndotja vazhdon të jetë e lartë alarmante, prandaj duhet më shumë kujdes”, tha Xhaferi.
Aktivisti ekologjik dhe krijuesi i rrjetit AirCare, Gorjan Jovanovski thotë se duhet urgjentisht të rritet rrjeti i stacioneve matëse në Tetovë dhe beson se vetëm në këtë mënyrë do të jepet pasqyra e qartë e cilësisë së ajrit në qytetin, i cili ka histori të ndotjes rekorde.
“Rrjeti nga një pikë matjeje nuk është rrjet. Me një stacion matës në një qytet me popullsi të dendur, cilësia e ajrit nuk mund të vlerësohet realisht. Shifrat nga vendi i monitorimit të Ministrisë tregojnë se si është ajri në afërsi të saj, por nuk e dimë se çfarë është më larg apo, për shembull, në afërsi të fabrikës ku dje ka rënë zjarri”, thotë Jovanovski.
Ai beson se Tetova duhet të marrë shumë më tepër pika matëse për cilësinë e ajrit. Ai thotë se Ministria duhet të ngrejë një stacion tjetër në kuadër të Monitorimit Shtetëror, por edhe Komuna dhe qytetarët mund të bëjnë rrjetin e tyre.
“Është e qartë se financat do të jenë gjithmonë një justifikim, por duhet të jetë e qartë se ka sensorë që kushtojnë deri në pesëdhjetë euro dhe që tregojnë me shumë saktësi. Po të kishte Tetova njerëz të tillë, tash do të ishte shumë më e qartë tabloja e ndotjes reale. Prandaj nuk bëhet fjalë gjithmonë për financa, duhet të ketë dëshirë”, tha Jovanovski.
Tetova aktualisht ka vetëm një stacion matës për cilësinë e ajrit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili është i vendosur afër shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, në distancë prej rreth 2 kilometra nga fabrika e cila u dogj.
Mirëpo, Elmedina Abdullai, aktiviste nga organizata ekologjike “Nëna dhe Fëmija” dhe këshilltare komunale nga “Më mirë për Tetovën” tha se aktualisht Universiteti i Evropës Juglindore në bashkëpunim me Komunën e Tetovës janë duke instaluar pesë senzora mobil nëpër qytet. Abdullai theksoi se mbështet atë që Jovanovski thotë se duhet të ketë rrjet të stacioneve matëse të cilësisë së ajrit. Ajo shtoi se kanë sensorë privatë për matjen e cilësisë së ajrit, por se për momentin janë jofunksional.
“Patjetër që është i domosdoshëm rrjeti i matësve në Tetovë, atë ne e kemi kërkuar para gati dhjetë viteve si aktivistë të “Nëna dhe Fëmija”. Si rezultat i nevojës, falë shumë vullnetarëve ne arritëm të vendosim rrjetin me pesë matës në lokacione të ndryshme, por për arsye teknike për momentin nuk janë në funksion. Ne do të angazhohemi t’i rregullojmë matësit tonë që i kemi dhe do të mund pastaj të hyjnë në funksion përsëri”, tha Abdullai.
Ndër të tjera, Xhaferi dhe Mehmeti thanë se depot e tilla që shesin materiale lehtë të dejgshme duhet të dislokohen nga vendbanimet, ku në rast të një fatkeqësie të tillë, impakti në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve të jetë më i vogël. Po ashtu, inspektoratet përkatëse duhet të kontrollojnë çdo ndërmarrje për t’u siguruar se kanë mbrojtje kundër zjarrit dhe plan për menaxhimin me to, si dhe gjoba në rast mosrespektimit të kushteve. Ndërkaq sipas Xhaferit eleminimi i ndotjes do të varret nga erërat që mund të fryjnë ditëve në vijim dhe se gjatë javës në vijim duhet vazhdimisht të ketë dezinfektim të rrugëve.
Ndryshe, zjarri që shpërtheu dje në mëngjes rreth orës 9:30 në hapësirat e ish fabrikës “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” është vënë në kontroll, ndërkaq ekipet zjarrfikëse vazhdojnë me aktivitetet për fikjen e plotë. Ekipi i Armatës për mbrojtje nga armët atomike, kimike dhe biologjike ka konstatuar se në ajër nuk ka grimca të gazrave helmues. Pas zjarrit të shkaktuar dje në Tetovë pronari i kompanisë PoFix sot duke falënderuar qytetarët dhe autoritet që ofruan ndihmë gjatë zjarrit u shpreh se dëmet materiale kalojnë shifrën e mbi 12 milionë eurove.