RMV, gjithçka gati për testin e parë shtetëror në shkolla më 1 qershor

Rreth 4200 nxënës në vend do t’i nënshtrohen për herë të parë testeve shtetërore më 1 qershor, të cilat janë pjesë e testimit shtetëror, që zbatohet nga autoritetet arsimore. Procesi organizohet dhe zbatohet nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QShP). Këtë vit testit shtetëror do t’i nënshtrohen vetëm nxënësit e klasës së tretë, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme. Plani është që tani një test të tillë ta bëjnë nxënësit e klasës së tretë, këtë vit – nxënësit e klasës së pestë, e më pas nxënësit e klasave të nënta, transmeton Portalb.mk.

“Pyetjet që do të jenë në test nuk janë nga materiali që mësojnë fëmijët në shkollë, por janë bërë sipas modelit të testeve nga garat ndërkombëtare. Do të kenë pyetje në gjuhën e tyre amtare për të parë se sa të shkolluar janë, nëse dinë drejtshkrim dhe gramatikë. Do të kenë një tregim që do të duhet ta lexojnë, ndërsa më pas do t’u përgjigjen pyetjeve për të parë nëse e kuptojnë atë që po lexojnë”, tha Elizabeta Naumovska, drejtoresha e QShP-së.

Në testin për gjuhën amtare do të përpilohen edhe pyetje të edukimit mediatik. Nxënësit do testohen edhe në matematikë më 2 qershor. Do të ketë detyra me të cilat do të shihet se cilat janë njohuritë e tyre praktike për këtë lëndë.

“Për shembull, do të ketë detyrë e cila kërkon të jepet përgjigje në pyetjen se sa është shuma e tre monedhave nga 10 denarë, dhe dy të tjera nga 50 denarë. Nuk do të jetë asgjë e frikshme apo e komplikuar. Përveç gjuhës amtare dhe matematikës, në lëndët tjera nuk do të ketë teste”, shtoi Naumovska.

Testet do të kontrollohen nga mësuesit e shkollave fillore dhe më pas do të rishikohen përsëri në QShP. Është planifikuar që deri në fund të vitit kalendarik të përfundojë kontrollimi i testeve.

“Nuk do të ketë nota, do të ketë pikë të fituara. Qëllimi nuk është t’i vlerësojmë, por të shohim se çfarë njohurish kanë. Më pas ato rezultate do të përpunohen statistikisht, kështu që do të dihet se sa përqind janë përgjigjur në pyetjen e parë, sa nga e dyta e kështu me radhë”, shtoi drejtoresha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button