Tetovë, udhëheqësia e re komunale gjashtë muaj pa asnjë veprim konkret për qentë endacak
Ndonëse shpresat ishin te ndërtimi i qendrës rajonale për strehimin e qenve endacak për tërë komunat e Pollogut, e njëjta për momentin dështoi pasi komuna e Bërvenicës refuzoi ndërtimin në territorin e saj. Tetova është ndër komunat ku qentë endacak janë shumë të përhapur, sidomos në qytet dhe përbëjnë rrezik për qytetarët. Kasami tha se kanë planin B për të zgjidhur këtë problem, por gjysmë viti në krye të komunës, udhëheqësia e re nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret në terren për zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët e Tetovës do vazhdojnë të jenë të pa sigurt në rrugë nga qentë endacak, pasi zgjidhje konkrete për këtë problem nuk ka ende.
Pas dështimit të projektit rajonal, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në mbledhjen e fundit të këshillit të komunave të Pollogut është diskutuar që të kërkohet lokacion i ri apo të vazhdojë plani paraprak i komunave që kjo çështje të zgjidhet në nivel të komunave.
Për këtë, ai tha se Komuna e Tetovës e ka planin B.
“Komuna e Tetovës veç më ka planin për të cilin jemi në realizim e sipër. Janë konsultimet finale të formës së realizimit të procedurës për përkujdesjen e qenve endacak përmes shoqatës AMOS, me të cilën paraprakisht kemi dakordim, tash shikojmë format juridike si do bëhet lidhja e kontratës”, tha Kasami.
Nga organizata “Amos Shelter thonë se pasi janë në fazë përfundimtare të bisedimeve me Komunën e Tetovës, nuk mund të japin më shumë detaje.
“Në fillim ishim të kontaktuar nga “Më mirë për Tetovën” të cilët kishin ngritur iniciativë t’i ndihmojnë qytetarëve të Tetovës dhe Komunës së Tetovës me këtë problematikë. Me ndihmën e tyre ne përgatitëm plan të cilin ua ofruam si opsion Komunës. Për shkak se tani kemi arritur në fazën përfundimtare të bisedave me Komunën e Tetovës besojmë se nuk është koha e duhur për të dhënë detaje në planin tonë. Jemi të gatshëm që të bisedojmë dhe të japim deklaratë pasi që të gjitha bisedat të kenë përfunduar dhe bashkëpunimi i jonë të ketë nisur oficialisht”, thanë nga Amos Shelter.
Deri sa autoritetet të gjejnë zgjidhje, qytetarët janë të rrezikuar në rrugë nga qentë.
Vetëm për këtë vit në rajonin e SPB Tetovë u regjistruan 35 raste për kafshim të qytetarëve nga qentë endacak, ndërsa në vitin 2021 ishin 113 raste.
Ndonëse muajin shkurt Komuna e Tetovës e publikoi planin për zgjidhjen e problemit me qentë endacak për vitin 2022, i njëjti vazhdon të mbetet vetëm në letër pasi nuk ka filluar të aplikohet në terren ende.
Mjetet financiare të ndara nga Komuna e Tetovës për këtë problematikë janë më pak se vitin e kaluar, gjegjësisht për këtë vit komuna ka ndarë 2 milionë denarë, ndërsa vitin e kaluar kishte të ndara 3.5 milionë denarë.
Rikujtojmë që në shtator, qentë endacak sulmuan rëndë dhe bënë për spital katërvjeçarin nga Reçica e Vogël i cili ishte duke lozur para derës së shtëpisë së tij.
- LEXO: Pollog, dështoi projekti rajonal për ndërtimin e strehimores për qentë endacak, Bërvenica refuzoi ta japë lokacionin e premtuar
- LEXO: Tetovë, nuk ka filluar të zbatohet ende plani për trajtimin e qenve endacak i publikuar para një muaji
- LEXO: Komuna e Tetovës prezantoi planin për zgjidhjen e problemit me qentë endacak
- LEXO: Tetovë, qentë endacak vazhdimisht sulmojnë banorët, Komuna premton zgjidhje
- LEXO: Qentë endacak sulmuan fëmijën katër vjeçar në Tetovë
- LEXO: Tetovë, optimizëm për zgjidhjen e problemit me qentë endacak, këtë vit me 3.5 milion denarë pritet të trajtohen 300 qen
- LEXO: Tetovë, i frikshëm numri i qytetarëve që denoncojnë sulm nga qentë endacak, komuna: Këtë vit kemi ndarë më shumë mjete
- LEXO: Tetovë, gjatë kësaj jave çdo ditë është denoncuar kafshim nga qentë endacak
- LEXO: Nuk trajtohen qentë endacak që kafshojnë banorët e Tetovës, Komuna dhe kompania flasin ndryshe