Petkov: RMV-ja do të anëtarësohet në BE më së shpejti pas 10 viteve, partitë maqedonase me mendime të kundërta

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, në një deklaratë për BTV tha se Maqedonia e Veriut do të anëtarësohej në BE më së shpejti pas 10 viteve. VMRO-DPMNE-ja thotë se Bullgaria kërkon të asimilimin e maqedonasve në bullgarë. LSDM-ja thotë se Mickoski në mënyrë të pajustifikueshme frikëson opinionin, transmeton Portalb.mk.

Sipas Petkov, garancia për të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohet përmes procesit evropian.

“Nëse i vendosim në marrëveshjen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që Bullgaria nuk do t’i mbrojë më këto të drejta, por marrëveshja me Bashkimin Evropian do ta garantojë këtë të drejtë. Pra, heqja e vetos, siç thonë të gjithë – ta heqësh apo jo, është një mënyrë e gabuar e të menduarit. Duhet të themi këtu – Maqedonia e Veriut do të jetë në Bashkimin Evropianmë së shpejti pas 10 viteve. Ka shumë kapituj në rrugën e saj drejt Evropës. Ne vetëm duhet të vendosim kushtet tona – për shembull, për Kushtetutën përpara hapjes së kapitullit të parë. Në këtë mënyrë, duke hequr të drejtën e vetos, i japim Maqedonisë së Veriut një rrugë për të ecur. Por, në këta kapituj të veçantë mund të vendosim të gjitha kushtet që na nevojiten, dhe kështu problemin që ekziston aktualisht nuk do ta zgjidhim brenda një ose dy javësh, por do të kemi 10 vjet për të punuar së bashku që Maqedonia e Veriut të jetë vërtet evropiane dhe shtet ku të gjitha të drejtat e bullgarëve të mbrohen plotësisht. Pra, qasja duhet të jetë më e zgjuar”, tha Petkov për BTV.

Çdo hap që do të ndërmarrë pala bullgare për Maqedoninë e Veriut, siguron ai, do të kalojë në Parlamentin bullgar, gjegjësisht nuk do të ketë marrëveshje të fshehtë mes dy qeverive. Petkov tha se pret mbështetje edhe nga partnerët e koalicionit edhe nga opozita. Ndër të tjera, ai tha se në të dy shtetet ka njerëz që po tentojnë t’i lëkundin marrëdhëniet e mira mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por tha se nuk do t’i nënshtrohen provokimeve.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për këtë qëndrim të Petkovit tha se Bullgaria me këto qëndrime kërkon të asimilimin e maqedonasve në bullgarë dhe si të tillë do të hyjnë në Bashkimin Evropian.

“Kjo është se problemet tona bilaterale dhe të gjitha ato kërkesa që zyrtari Sofja ka do të hyjë në kuadrin e negociatave, që do të thotë se ose do të asimilohemi ose do të bullgarizohemi dhe si të tillë do të hyjmë në Bashkimin Evropian, ose nuk do të ketë Bashkimi Evropian për ne pavarësisht se do të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare. Unë jam i bindur se shtetet anëtare të BE-së nuk do ta lejojnë këtë sepse shumë herë në të kaluarën të njëjtat shtete anëtare kanë thënë se problemet bilaterale janë vetëm probleme dypalëshe dhe nuk mund të jenë asnjëherë shumëpalëshe”, tha Mickoski.

Nga LSDM thanë se Mickoski në mënyrë të pajustifikueshme frikëson opinionin, ashtu siç gënjeu se shteti po copëtohet.

“Në vend që të qëndrojë pas interesave shtetërore, Hristijan Mickoski shpërndan të pavërteta në një festë fetare, në mënyrë të pabazë frikëson opinionin, duke minuar kështu pozitat shtetërore. Asimilim i popullit maqedonas nuk do të ketë, nuk do ta lejojnë as qytetarët e as LSDM. Në VMRO-DPMNE nuk ka ndryshuar asgjë. Kjo është sjellje identike e Mickoskit, i cili gënjeu se do të copëtohet, i cili para Bojko Borisovit tha se e “përkrah” Marrëveshjen”, thanë nga LSDM.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button