Komisioni rekomandoi që të shfuqizohen kovid-certifikatat për hyrje në Maqedoninë e Veriut
Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut sot ka rekomanduar që të shfuqizohet posedimi i detyrueshëm i certifikatës për vaksinim ose kalim të COVID-19 për hyrje në vend. Këto vërtetime do të vazhdojnë të vlejnë për hyrje në objekte hotelierike, njofton Portalb.mk.
Për heqjen e certifikatave për hyrje në restorante dhe kafene Komisioni nuk ka rekomanduar pasi që vlerëson se nuk është mirë që të shfuqizohen të gjitha masat menjëherë, por gradualisht.
“Shfuqizimi gradual i masave jep rezultate dhe ajo shihet në rënien e numrave të përditshëm”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Zllate Mehmedoviq.
Qeveria dje hoqi masën për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura me përjashtim të qendrave shëndetësore, farmacive, transportit publik (autobus, tren, avion, taksi), institucionet për kujdesin e të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara, si dhe mbështeti rekomandimin e Komisionit për sëmundje infektive, që maska në ambiente të mbyllura duhet të mbajnë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë dhe personat me imunitet të ulët. Qeveria ka vendosur që nxënësit e shkollave të mesme të ndjekin mësimet me prezencë fizike pa maska mbrojtëse dhe do të mundësohet organizimi i ekskursioneve dhe mësimeve në natyrë në shkollat fillore dhe të mesme.