Villarreali dhe Real Madridi dy gjysmëfinalistët e parë në Ligën e Kampionëve
illarreali është gjysmëfinalisti i parë i Ligës së Kampionëve. Skuadra spanjolle të martën mbrëma luajti 1:1 me Bayernin në Munich dhe me këtë rezultat avancoi në gjysmëfinale, raporton Koha.net.
Ndeshjen e parë në Spanjë, Villarreali e kishte fituar 1:0. Në ndeshjen e dytë çerekfinale, Robert Lewandowski kaloi në epërsi Bayernin në minutën e 52-të.
Por rezultatin në 1:1 e barazoi Samu Chukwueze në minutën e 88-të. Bayerni është vlerësuar favorit i madh, por Villarreali shfaqi më shumë nëse llogariten të dy ndeshjet dhe tani do të luaj në gjysmëfinale.
Real Madridi i ka mbijetuar paraqitjes së jashtëzakonshme të Chelseat për të bërë vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Pasi kishte humbur 3:1 ndeshjen e parë në Londër, Chelsea të martën mbrëma në “Santiago Bernabeu” krijoi epërsi prej 3:0 dhe dukej se po marshonte drejt gjysmëfinales së Championsit.
Por Reali doli nga hija në momentet vendimtare dhe fillimisht shënoi gol për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Ishte Rodrygo që në minutën e 80-të konkretizoi një pasim maestral të Luka Modriqit për të ngushtuar rezultatin në 3:1. Me këtë rezultat, ndeshja e jashtëzakonshme shkoi në vazhdime.
Në vazhdime, përkatësisht në minutën e 96-të, Karim Benzema shënoi golin vendimtar për 3:2. Ai realizoi me kokë pas krosimit të Vinicius Jr. Benzema kishte shënuar tre gola në ndeshjen në Londër dhe kështu siguroi kalimin e Realit në gjysmëfinale.
Deri te momenti magjik i Modriqit, Chelsea ka dominuar plotësisht. Mason Mount shënoi për 1:0 në minutën e 15-të, ndërsa Antonio Rudiger shënoi për 2:0 në minutën e 51-të. Gjermani Timo Werner shënoi supergol në minutën e 75-të për epërsinë 3:0 të Chelseat. Por madrilenët reaguan më pas me dy gola dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:4 avancojnë në gjysmëfinale.
Chelsea është kampion në fuqi i Championsit dhe ka pasur paraqitje prej kampioni të martën mbrëma në “Bernabeu”. Por jo të mjaftueshme për ta eliminuar Realin me Benzeman në superformë.