RMV, shoqata “Lesja Ukrainka” kërkon reagim ndaj dezinformatave që mohojnë krimet në Ukrainë

“Lesja Ukrainka”, shoqata e ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar ndaj dezinformatave në rritje për pushtimin e Rusisë në Ukrainë, si dhe miratimin e krimeve të luftës, gjegjësisht fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes në internet. Shoqata kërkoi masa për luftimin e këtyre dukurive negative, të cilat në legjislacionin maqedonas cilësohen si vepra penale, transmeton Portalb.mk.

“Në hapsirën informative është rritur ndjeshëm numri i dezinformatave në formën e komenteve të ashpra, fyese, poshtëruese dhe provokuese nën publikimet në internet, të cilat mohojnë publikisht krimet kundër Ukrainës, miratojnë ose justifikojnë ato ose përhapin informacione të rreme për ngjarjet në Ukrainë”, thotë Shoqata e Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut “Lesja Ukrainka”.

Shoqata paralajmëron gjithashtu për një propagandë të intensifikuar ruse me faqe interneti dhe profile të reja në Facebook, në përpjekje për të krijuar pasqyrë të shtrembëruar të situatës reale midis lexuesve neutralë.

“Përgjithësisht dihet se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shumë vite që vepron propaganda e paguar proruse, aktiviteti i së cilës ka rezultuar në një rritje të pakontrolluar dhe një numër të madh të faqeve të rreme dhe profileve në Facebookm ka shembuj të panumërt të funksionimit të tyre, rritje të niveleve të publikimeve të kërkuara me pëlqime, si dhe postimi i komenteve të shumta që deformojnë tërësisht imazhin e lexuesve dhe shikuesve neutralë”, thuhet në reagim.

“Lesya Ukrainka” kujton se në vend, me nenin 407, paragrafi “a” i Kodit Penal, si vepër penale kualifikohet miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës, si dhe se qeveria ka vendosur t’iu kundërvihet lajmeve të rreme dhe dezinformatave me qëllim që t’i mbrojnë qytetarët. Prandaj, Shoqata e Ukrainasve kërkon futjen e masave për luftimin e informacioneve të rreme dhe gjuhën e urrejtjes në lidhje me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Njëkohësisht, “Lesja Ukrainka” rikujton edhe se Prokuroria Publike dhe MPB shpallën ndjekje penale ndaj të gjithë autorëve të kësaj vepre penale, por edhe se ka interpretime nga disa avokatë se Kodi Penal nuk mund të zbatohet për luftën në Ukrainë pasi nuk ka vendim përfundimtar të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë për krime lufte apo gjenocid.

“Konsiderojmë se propaganda ruse dhe nxitja e ndjenjave pro-ruse, si dhe përshtypja e ekzistencës së pjesëve të mëdha të popullsisë që i janë nënshtruar një propagande të tillë, ndër të tjera, i shkaktojnë dëme të mëdha Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe që synojnë destabilizimin e vendit dhe Ballkanit, shkatërrimin e reputacionit të institucioneve shtetërore dhe mediave”, thonë nga Lesja Ukrainka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button