Mëkati nuk mund të arsyetohet

Ebu Hurejre r.a. transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s.: “Të parët që do të thirren në ditën e Gjykimit është Nuhu a.s. dhe populli i tij, dhe atë Allahu xh.sh. do ta pyes: “A ju ke komunikuar shpalljen popullit tënd?”

Ai do të thotë: “Po, Zoti im.” Atëherë Allahu do ta pyet popullin e tij: “Nuhu a ju ka komunikuar shpalljen?” Ata do të thonë: “Jo, pasha Allahun. Sikur të na dërgoje Pejgamberin ne do ta pasonim dhe do të ishim besimtarë. Asgjë nga ajo që ka qenë i urdhëruar nuk na ka komunikuar.” Atëherë Allahu do t’i thotë Nuhut a.s.: “Këta po thonë se nuk u ke komunikuar asgjë nga Unë. A ke dikë që do të dëshmojë në dobinë tënde e kundër tyre?” Ai do të thotë: “Kam. Ky është ummeti i Muhammedit a.s.” Do ta thërret Allahu ummetin e Muhammedit a.s. dhe do ta pyes, e ne do të themi: “Po, ne dëshmojmë që Nuhu ua ka komunikuar shpalljen popullit të tij.” Pastaj, populli i Nuhut do të pyes: “Si mundeni ju të dëshmoni që Allahu na ka dërguar Pejgamberin dhe na ka komunikuar shpalljen e ne jemi populli i parë, kurse ju i fundit që ka pasuar shpalljen?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë se Allahu u ka dërguar Pejgamberin Nuh a.s. në bazë të Kuranit, ku janë treguar lajmet për ju.” (Tenbihul gafilin)

Ebu Hurejre r.a. ka thënë: “Ne jemi ummeti (komuniteti) i fundit në tokë, por do të jemi të parët në Ditën e Gjykimit.”

Për këtë flasin fjalët e Allahut xh.sh.:
“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush.” (El – Bekare, 143)

Allahu xh.sh. secilit popull ia ka dërguar pejgamberin. Askë nuk e ka dënuar pa e paralajmëruar. Askush në ditën e Gjykimit nuk do të mund të arsyetohet dhe të thotë se fjala e Allahut nuk ka arritur tek ne:

“Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?”

Ata thonë: “Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “All-llahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të madhe!”

Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit.” (El – Mulk, 8-10)

Nuhu a.s. i thirri pa u lodhur 950 vjet popullin e tij. I thirri në anijen e shpëtimit dhe shpëtim jashtë anijes së besimit nuk ka të cilën secili Pejgamber ia ka ndërtuar popullit të tij. I mbyllnin veshët që të mos dëgjojnë, kthenin kokën, mbyllnin sytë që mos ta shohin paralajmëruesin. Dhe ditën e Gjykimit do të mohojnë.

Kundër dëshmitarit ka dëshmitar.
Sikur popujt e kaluar me pejgamberët e tyre që do të jenë dëshmitarë kundër tyre në ditën e Gjykimit të drejtë edhe ne do të ballafaqohemi me dëshmitarin kundër nesh:
“… Dhe për të qenë i dërguari dëshmitar kundër jush.” (El – Bekare, 143)

Të vetëdijshëm dhe të sigurtë që para Gjykatësit të Vërtet dhe të Gjithdijshëm me dëshmitarin kundër nesh të ballafaquar pyesim:

Si para Zotit tonë të Plotfuqishëm dhe Pejgamberit të Tij do të arsyetohemi në mosbesimin tonë kur argumentet e ekzistencës së Zotit janë kudo po edhe në veten tonë? Argumentet janë të njëjtë për të gjithë njerëzit, por disa kanë sy por nuk shikojnë, veshë por nuk dëgjojnë, zemra por që nuk kuptojnë.

Si para Allahut xh.sh. dhe të dashurit Tij do të arsyetojmë paditurinë tonë për fenë kur Allahu xh.sh. thotë:

“Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për të studiuar, a ka ndokush që merr përvojë nga ai?” (El – Kamer, 40)
Si do të arsyetohemi në ditën e Gjykimit për mosfaljen e namazit? Ku kemi arsyetim që nuk i kemi mësuar familjen dhe fëmijët tanë në themelet e fesë? A nuk ka arritur paralajmërimi te ne:
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Et – Tahrim, 6)

Si ta arsyetojmë indiferencën tonë ndaj prindërve tanë dhe mosdëgjimit ndaj tyre kur në Kuran i Lartësuari na urdhëron:

“Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.” (El – Israë, 24) Si ta arsyetojmë papërgjegjësinë tonë ndaj komunitetit (xhematit), kur Allahu xh.sh. na ka treguar rrugën që duhet ecur si xhemat, si popull për të qenë të suksesshëm:

“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani!” (Ali Imran, 103)

Si do të arsyetohen politikanët tanë të zgjedhur dhe të paguar mirë para Allahut të Plotfuqishëm për mospunë, papërgjegjësi, për konfliktet mes tyre, për nënçmimet që përshkak tyre i përfitojmë. Ne njerëzit e rëndomtë që ua kemi besuar udhëheqjen tonë, u themi nga zemra, bashkohuni në mendime, ktheni kokën kah të varfërit e të mjerët, bonjakët e invalidët dhe bëhuni të vetëdijshëm që keni dëshmitar kundër jush në Ahiret. Pejgamberi s.a.v.s. është dëshmitar.
Si të arsyetohemi për pjesëmarrjen tonë në korrupsion dhe shkatërrimin e shoqërisë kur Allahu kategorikisht nga ne kërkon që mos ta hamë pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar.
Si të arsyetohemi për përhapjen kaq të madhe të bixhozit, alkoolit, narkomanisë dhe prostitucionit, të cilat ashpër i dënon Allahu xh.sh. në Kuran.

Si do të arsyetohemi kur kemi lënë sipërfaqe të madhe të tokës pa e punuar, ndërsa e dimë që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e ngjall tokën e vdekur ka shpërblim të madh për këtë.”
Çfarë po bëjmë ne për ummetin sot?

A kemi ide, projekte, jo me fjalë por me vepra?

Çfarë po bëjmë për ta nxitur imamin për ligjëratë dhe përgatitje më të mirë?

Kot do të arsyetohet populli i Nuhut a.s., por edhe askush nga ne për mëkatet e bëra, për neglizhencën tonë, sepse Pejgamberi ynë i fundit, s.a.v.s., do të dëshmojë se na ka paralajmëruar dhe thirrjen për shpëtim na ka dërguar.

O Allah i madhërishëm na bëj të vetëdijshëm për rëndësinë e fjalës Tënde, dhe e njëjta të vendoset në zemrat tona, që të largohemi nga mëkatet dhe të veprojmë sipas Librit tënd dhe sunnetit të Pejgamberit a.s.

AMIN

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button