Kurti u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, të ruajnë qetësinë dhe të “besojnë më shumë te Qeveria e Kosovës”. Përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, të postuar në rrjetet sociale, Kurti falënderoi qytetarët serbë që protestuan, “në mënyrë paqësore” më 25 mars në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut, transmeton REL.

Por, Kurti i paralajmëroi qytetarët serbë që të mos ndikohen nga autoritetet në Serbi.

“Atyre nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen të destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore, e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe. Prandaj qytetarë të dashur, ju ftoj që të ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Më 25 mars, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, në territorin e Kosovës.

Po ashtu, partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, bëri të ditur se kjo parti dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës, derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Stevanoviq u suspendua pasi mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Beograd më 22 mars.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Stevanoviq është suspenduar me urdhër të Kurtit. Por, në video-mesazhin e publikuar, Kurti tha se këtë lajm e ka marrë vesh nga mediat.

“Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar”, tha Kurti.

Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, të caktuara më 3 prill.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Serbia që t’i drejtohet me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, por Beogradi nuk ka pranuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button