Zelensky: Prioritet është rivendosja e sovranitetit dhe integritetit territorial

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se përparësitë e tyre në negociatat me Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë janë përfundimi i konfliktit, garancitë e sigurisë dhe rivendosja e sovranitetit dhe integritetit territorial, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh, Zelensky theksoi se prioritet është mbrojtja reale e shtetit të Ukrainës.

“Prioritetet e mia në negociata janë absolutisht të qarta. Përfundimi i luftës, garancitë e sigurisë dhe rivendosja e sovranitetit dhe integritetit territorial janë garanci reale për vendin tonë dhe mbrojtje e vërtetë e vendit tonë”, tha ai.

Duke iu drejtuar edhe ushtarëve rusë, Zelensky u rekomandoi që të “lënë armët në vend që të vdesin në fushën e luftës në Ukrainë”.

“Çdo ushtar rus që lë armën do të ketë një mundësi. Mundësi për të jetuar. U bëj thirrje kryesisht atyre, ushtarëve të hedhur në kazanin e kësaj lufte. U bëj thirrje kryesisht ushtarëve rusë të cilën kanë ende instinktin e vetë-mbrojtjes. Lini armët. Kjo është më mirë se të humbni jetën në territoret tona”, tha Zelensky.

Zelensky njoftoi se avionët rusë qëllimisht hodhën bombë të fuqishme në teatrin ku ishin strehuar qindra civilë në Mariupolin e rrethuar dhe si pasojë e kësaj u shemb ndërtesa.

“Numri i të vdekurve nuk dihet ende. Më copëtohet zemra për atë që Rusia i ka bërë popullit tonë, Mariupolit tonë dhe rajonit tonë Donetskut. Qytetarë të Rusisë, si ndryshon bllokada juaj e Mariupolit nga bllokada e Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore?”, tha presidenti ukrainas.

Pavarësisht sanksioneve të zbatuara, tha Zelensky, ekonomia ruse vazhdon të mbajë ende “makinën e luftës” në Ukrainë dhe shtoi se për këtë arsye ka nevojë për paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë. Ai tha se bota më në fund duhet të pranojë zyrtarisht se “Rusia është bërë një shtet terrorist dhe më e rëndësishmja është se Ukraina duhet të marrë më shumë mbështetje.”

Presidenti i Ukrainës gjithashtu u shpreh se në një bisedë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është rënë dakord që të mbështeten qytetarët ukrainas që strehohen në vendet e Evropës.

Zelensky ndër të tjera shtoi se ka biseduar me miqtë e Ukrainës, presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin e Kanadasë ,Justin Trudeau, ku në këto biseda kanë rënë dakord për hapa të reja për paqen në vend dhe se ai i ka falënderuar ata për mbështetjet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button