Gazetarja ruse që hapi pankartën “Jo luftës” në transmetim të drejtpërdrejt refuzoi ofertën e Macronit për azil
Gazetarja ruse, Marina Ovsyannikova, e cila protestoi kundër luftës Rusi-Ukrainë gjatë transmetimit të lajmeve të mbrëmjes në kanalin televiziv në Rusi, refuzoi ofertën e presidentit francez, Emmanuel Macron për azil në Francë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve të BFM TV, Ovsyannikova në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel” tha se nuk dëshiron të largohet nga vendi i saj.
Gazetarja për ofertën e Macronit për azil në Francë tha: “Unë jam patriote. Djali im është edhe më patriot. Në asnjë rrethanë nuk duam të largohemi apo të shkojmë diku tjetër”.
Duke thënë se askush me mendje të shëndoshë nuk do ta pranonte këtë luftë kundër një populli vëllazëror, Ovsyannikova për veprimin e saj tha: “Doja të tregoja se edhe rusët janë kundër kësaj lufte. Shumë njerëz në Perëndim nuk e kuptojnë këtë”.
– Ngjarja
Gazetarja 43-vjeçare Ovsyannikova, e cila u shfaq në kanalin televiziv “Perviy Kanal”, një nga kanalet televizive federale të Rusisë, pas moderatores së lajmeve me një pankartë ku shkruhej “Jo luftës”, u arrestua pas protestës së saj gjatë transmetimit të lajmeve të mbrëmjes.
Ovsyannikova u gjykua në një gjykatë të Moskës për shkelje të ligjit për mbajtjen e ngjarjeve publike pa paralajmërim dhe u gjobit me 30 mijë rubla.
Gazetarja e lindur në qytetin Odessa të Ukrainës, babai i së cilës është ukrainas dhe nëna ruse, dëshironte që “Rusia të ndalonte menjëherë luftën e saj kundër Ukrainës”.