Antikorrupsioni: Me certifikata të falsifikuara, një ndërmarrje për ashensorë ka fituar rreth 90 tenderë

Një ndërmarrje nga Manastiri nga viti 2018-të deri në vitin 2020 ka fituar rreth 90 tenderë për montim dhe mirëmbajtje të ashensorëve, kryesisht nga institucionet publike me mjete buxhetore, zbulojnë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Siç theksoi Vlladimir Georgiev nga KSHPK, kjo është bërë me dokumente të falsifikuar, certifikata ISO të falsifikuar dhe nënshkrime, njofton Portalb.mk.

Ai theksoi se nga KSHPK do të dorëzojnë iniciativë për ndjekje penale në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, por edhe paralajmërim deri te Qeveria.

Nga KSHPK thonë se nuk guxojnë ta publikojnë emrin e ndërmarrjes, por shpresojnë se Prokuroria do të veprojë në mënyrë të shpejtë për këtë rast.

Ata zbulojnë se ndërmarrja ka qenë e lidhur me dy ndërmarrje tjera në Shkup, veprimtaria e të cilave gjithashtu është montimi, mirëmbajtja dhe servisimi i ashensorëve, për arsye se drejtuesi i kësaj ndërmarrje është pronar i vërtetë i dy ndërmarrjeve tjera. Lënda në Antikorrupsion është hapur pas paraqitjes së dyshimit për shfrytëzim të certifikatave të falsifikuara ISO nga ana e ndërmarrjes për servisim, remont dhe montim të ashensorëve, me qëllim që të fitojë tender nga ISHP Spitali i Përgjithshëm i Qytetit të Shkupit.

Georgiev sqaroi se pas publikimit të tenderit, Komisioni për Furnizime Publike në spital e ka kontrolluar vërtetësinë e certifikatave ISO te lëshuesi i certifikatave – ndërmarrje nga Kroacia, prej ku ka marrë përgjigje se certifikatat janë të falsifikuara. Komisioni nuk e ka pranuar ofertën nga ndërmarrja e theksuar, a ndërmarrja fiktive ka dorëzuar ankesë deri te Komisioni Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike, prej ku është refuzuar si e pabazë.

“Në korrespodencën elektronike mund të konstatohet se falsifikimi i këtyre certifikatave ISO është bërë ashtu që personi fizik nga vendi duke u paraqitur si drejtues kryesor i ndërmarrjes përfaqësuese i ndërmarrjes për certifikim nga Kroacia, nga domeni i tij në lidhje me tenderin e tij, deri te postat elektronike të operatorit ekonomik që i ka dorëzuar certifikatat dhe deri te Komisioni për Furnizime Publike, ka dorëzuar informacion të rrejshëm se ky subjekt tregtar fiktiv është përfaqësues zyrtar i ndërmarrjes kroate për certifikim”, sqaroi Georgiev.

Ai shtoi se edhe Antikorrupsioni ka kontaktuar me ndërmarrjen kroate prej ku është konstatuar se të gjitha certifikatat ISO për tenderin për Spitalin e Përgjithshëm të Shkupit kanë qenë të falsifikuara. Gjatë punës, theksoi Georgiev, ekziston dobësi sitemore në sistemin për furnizime publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button