Radishani përsëritet në Gjorçe Petrov (FOTO)
Banorët shqiptarë të cilët jetojnë në lagjen Gjorçe Petrov ndjehen të pasigurt në shtëpitë e tyre, nga vetë shkaku se gjatë protestës edhe ata ishin cak i thyerjeve dhe ofendimeve të protestuesve maqedonas.
Portalb foli me disa familje të kësaj lagjeje.
Familja Emini e cila banon mu në rrugën kryesore të kësaj lagjeje ndjehet e rrezikuar nga bashkëqytetarët maqedonas, të cilët disa herë kanë bezdisur këtë familje.
“Jemi shumë të stresuar, gjatë protestave gratë dhe fëmijët i kishim në shtëpi dhe ne nuk ishim aty, ishte e tmerrshme. Vajzën e dërgova te mjeku për t’i dhënë qetësues. Na kanë ofenduar kanë thyer dritaret, bërtisnin si të çmendur”, thotë për Portalb, kryefamiljari Kadrush Emini.
Ai shton se edhe më herët ata janë sulmuar por jo duke thyer por duke shkruar ofendime në muret e rrethimit të oborrit.
“Disa herë na kanë vizatuar kryqe, kanë shkruar ofendime për shqiptarët si dhe thënien e famshme të maqedonase ‘ vdekje për shqiptarët’. Rastin nuk e kemi paraqitur ne polici sepse edhe dritaret kur na i thyen policia ishte aty dhe e lejoi këtë gjë. Nuk besojmë që ndonjë gjë do të ndryshohet edhe nëse bëjmë denoncim”, tha për Portalb, Emini.
Stresi që po e përjetojmë është i ngjashëm me atë familjen e Radishanit, jemi vetëm ne familje shqiptare në këtë lagje dhe ndjehemi shumë të pasigurt vazhdon më tej Emini.
“Siguria është zero dhe ndjehemi pothuajse njejt si ajo familja në Radishani. Nuk e di se a do mundemi të jetojmë këtu. Plot 38 vjet jemi banorë të kësaj lagjeje dhe është vështirë të largohemi, por kemi dëgjuar muhabete nga anash se kanë thënë që nëse ky shqiptari nuk e shet shtëpinë do ia djegim, do e vrasim dhe kërcënime të tjera nga vetë komshinjtë. S’di ç’të them më, zoti na ruajt!”, tha për Portalb, Emini.
Gjithashtu edhe familja Zajazi që jeton në këtë lagje kërkon të shpërngulet nga frika dhe pasiguria që ndjejnë në këtë pjesë të qytetit.
“Kështu më nuk shkon, një tollovi bëhet, ne duhet të mbyllemi me ditë të tëra në shtëpi duke u frikësuar të dalim edhe deri në dyqan. Kështu më nuk shkon, jemi duke kërkuar që të shpërngulemi, këtu s’ka asnjë lloj sigurie, një banor i kësaj lagjeje, Kadrush Emini solli vajzën e tij në ordinancën time për t’i dhënë qetësues, ajo ishte në shok, ishte e tmerruar”, tha për Portalb mjeku Agron Zajazi, i cili po ashtu është banorë i kësaj lagjeje.
Ndërkaq vrasja e 19 vjeçarit të hënën në Gjorçe Petrov të Shkupit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje cilët u grumbulluan disa qindra dhe kanë bllokuar rrugën kryesore të Shkupit. /Portalb