RMV, marsh për të drejtat e grave: Varfëria ka fytyrë gruaje

Me sloganin “Varfëria ka fytyrë gruaje”, sot në Shkup mbahet marshi i gjashtë për të drejtat e grave me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, transmeton Portalb.mk.

“Në këtë marsh, bashkërisht do të dërgojmë mesazh se pavarësisht se gratë janë të barabartë me gjysmën e popullsisë në vend, ato ende nuk gëzojnë të drejta të barabarta në pothuajse asnjë aspekt të jetës së tyre, në punë apo në shtëpi, në politikë dhe jetë sociale. Marshojmë sepse një vend në të cilin gratë nuk përfshihen si të barabarta është një vend në të cilin nuk ka përparim! Një shoqëri në të cilën gratë janë të varfra dhe të privuara nga të drejtat e tyre është një shoqëri e varfër!”, thanë organizatorët.

Ata shtojë se në marsh duan t’i kujtojnë institucione kyçe, se mungesa e politikave, dokumenteve strategjike dhe mekanizmave që mbështesin promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave do të thotë që institucionet lejojnë diskriminimin dhe dhunën sistematike dhe se varfëria e grave fshihet në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, ndërsa është veçanërisht e theksuar për shkak të pandemisë kovid-19, e cila ka sjellë një sërë pushimesh nga puna në industri si ajo e tekstilit, ku shumica e të punësuarave janë gra, por siç theksojnë ata, mungojnë kovid-masat dhe mekanizmat ekonomik për fuqizimin e grave.

“Gratë edhe mëtej nuk janë as afër përfshirjes së barabartë në krijimin e politikave dhe masave, si dhe në marrjen e vendimeve që do t’i marrin parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve. Aty ku nuk ka kuota, si pushteti ekzekutiv dhe ai lokal, vendimet merren kryesisht nga burrat – vetëm katër gra, kundrejt 17 burrave në qeveri, dy kryetare komunash, kundrejt 79 kryetarëve në pushtetin lokal. Ndryshime duhet të ketë”, thanë organizatorët.

Marshi për të drejtat e grave do të lëvizë sipas marsh-rutës së paracaktuar, duke filluar nga ora 12, para Qeverisë ku do të ketë një fjalim nga organizatorët dhe do të përfundojë në parkun “Gruaja luftëtare”, duke iu drejtuar publikut dhe institucioneve.

Marshi organizohet nga Platforma për barazi gjinore dhe aktiviste për të drejtat e grave. Platforma për Barazi gjinore është një rrjet i pavarur dhe joformal i organizatave të shoqërisë civile në Maqedoni për të drejtat e grave, i përbërë nga 27 organizata dhe rrjete që punojnë së bashku për të promovuar barazinë gjinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button