Diplomatët e BE-së: Vendimi për kandidaturën e Ukrainës nuk ndryshon asgjë për Ballkanin Perëndimor

Pas vendimit për të shqyrtuar anëtarësimin në BE të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, diplomatët e BE-së insistojnë se kjo nuk ndryshon asgjë për procesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, njofton MIA nga Brukseli, transmeton Portalb.mk.

Dje, ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së vendosën njëzëri t’i kërkojnë Komisionit Evropian që të shqyrtojë kërkesat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Tri burime të ndryshme diplomatike për MIA-n konfirmuan se gjatë takimit të disa ambasadorë të vendeve anëtare kanë ngritur çështjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat me vite të tëra janë të ngujuara në procesin e zgjerimit pa përparim të madh drejt anëtarësimit të plotë.

“Po, u bisedua për Ballkanin Perëndimor në takim për të thënë se është e qartë se ky vendim nuk ndryshon asgjë për perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe proceset apo diskutimet në vazhdim me Ballkanin”, tha për MIA-n një burim i lartë diplomatik nga një shteti i madh, anëtar i BE-së pas takimit të djeshëm të ambasadorëve.

Procesi i anëtarësimit për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, nëse ec sipas rrugës së rregullt siç është për Maqedoninë e Veriut dhe të tjerët, mund të zgjasë shumë, thonë diplomatët, duke pasur parasysh se reformat themelore politike dhe ekonomike në këto vende janë ende në vazhdim, larg standardeve të BE-së. Parashtrohen edhe çështje të tjera politike për këto vende, përveç faktit se Ukraina është në luftë dhe që të tre vendet kanë territore secesioniste – Transnistria në Moldavi dhe Abkhazia dhe Osetia për Gjeorgjinë.

Për momentin, institucionet e BE-së nuk po sqarojnë se cila do të jetë procedura për dhënien e një opinioni në Komisionin Evropian për aplikimet e këtyre tre vendeve lindore, për të cilat fillimisht për këtë temë pritet diskutimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së të premten në Francë.

Disa shtete anëtare, kryesisht evropiano-lindorë, kërkojnë procedurë të përshpejtuar për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, një propozim që tradicionalisht është bllokuar nga vendet e zgjerimit si Holanda apo Franca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button