Geer dhe Bomgartner: Dialogu me Bullgarinë, reformat akoma kusht për fillimin e negociatave të RMV-së me BE-në
Dialogu me Bullgarinë dhe realizimi i reformave janë akoma kushti kryesor për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave para-qasëse për anëtarësim në BE, thanë ambasadori i BE-së David Geer dhe ambasadori francez Cyril Bomgartner në konferencën e sotme për shtyp në selinë e BE-së në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Duke njoftuar për hapat e BE-së në mbështetje të Ukrainës, në pyetjet e gazetarëve nëse situata në Ukrainë do të përshpejtonte integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ata theksuan se rajoni mbetet me interes strategjik për Unionin dhe kujtuan konkluzionet e liderëve evropianë në takimin e Bërdos para disa muajsh.
“Situata në Ukrainë nënvizon rëndësinë e partneritetit të ngushtë me BE-në dhe vlerën e Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s. Ne kemi interes të fortë strategjik për ta parë Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së, por duhet të bëni reforma”, thanë zyrtarët e BE-së, duke theksuar se vendi ynë ka bërë përparim të dukshëm.
Në lidhje me dialogun me Bullgarinë dhe mundësinë e anëtarësimit në BE, u tha se të dyja palët duhet të lihen që vetë të arrijnë zgjidhje. “T’i lejojmë që procesi të zhvillohet në kushtet më të mira të mundshme”, thanë ambasadorët.
Dyshja e ambasadorëve hodhi poshtë kategorikisht krahasimet mes marrëdhënieve ruso-ukrainase dhe atyre bullgaro-maqedonase, siç thuhej në rrjetet sociale, duke thënë se ndryshe nga qasja agresive e Moskës dhe integriteti territorial i cenuar i Ukrainës, Bullgaria ishte ndër shtetet e para që e njohën Maqedoninë dhe e mbështetën në NATO, si dhe ndihmuan në evakuimin e njëzet qytetarëve të Maqedonisë nga Ukraina.
Lidhur me mundësinë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hyjnë në një pako të shpejtë me Ukrainën për BE-në, u tha se për Ukrainën liderët evropianë akoma duhet të vendosin për hapat e ardhshëm dhe se procedurat për çdo anëtarësim janë të qarta, ndërsa vendimet i sjellin liderët e Unionit.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Mariçiq: Ekziston mundësi për përshpejtimin e procesit eurointegrues
- LEXO: Si asnjëherë më parë është e domosdoshme që BE të mbledhë forca dhe t’i japë një dinamikë të fuqishme integrimit, vlerësoi Osmani
- LEXO: Kovaçevski-Varhej: Fillimi i negociatave për RMV-në nuk duhet vonuar asnjë ditë më tepër
- LEXO: Eurointegrimi i Ballkanit në plan të dytë, tashmë aleatët dhe BE-ja fokusin e kanë në Ukrainë