Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë: shterim gradual i arsenalit

Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Rusisë qysh në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, e që BE i zgjeronte gradualisht.

Malinka Ristevska Jordanova

Kombinimi fillestar i sanksioneve, të cilin ekspertët e vlerësuan si relativisht të butë, përbëhej nga masa individuale, ekonomike dhe diplomatike. Masat individuale përfshinë ngrirjen e pronave dhe ndalimin e udhëtimit, ndërsa sanksionet ekonomike përfshinë ndalimin e importeve, kufizimet e tregtisë dhe investimeve në sektorë të caktuar, ndalimin e shërbimeve turistike dhe ndalimin e eksportit të mallrave të caktuara në Krime dhe Sevastopol. Masat diplomatike përfshinë ngrirjen e dialogut, përjashtimin e Rusisë nga G-8 (atëherë i njohur si G-7) dhe pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Rusisë në OECD dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.

Në fund të atij viti, BE i shtrëngoi ndjeshëm sanksionet. U vendos ndalesë për eksport dhe import të armëve, u vendos ndalesë për eksport të mallrave me përdorim të dyfishtë, për përdorim ushtarak ose për përdoruesit e fundit ushtarakë në Rusi, u kufizua qasja ruse në disa teknologji dhe shërbime të ndjeshme që mund të përdoren për të prodhuar naftë dhe për kërkime të naftës. Ndoshta masa më e ashpër ishte kufizimi i qasjes në tregjet themelore dhe dytësore të kapitalit të BE-së për disa banka dhe kompani të mëdha shtetërore ruse. Fillimisht, ndalesa aplikohej vetëm për kreditë me afat më të gjatë maturimi, prej 90 ditësh, por më vonë kufiri u ul në 30 ditë. U ndërprenë huatë Rusisë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sanksionet e BE-së vetëm tre ditë më parë (më 23 shkurt të këtij viti) në përgjigje të njohjes nga Rusia të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, kanë vendosur kufizime ekonomike në ato zona dhe kanë zgjeruar ndjeshëm listën e individëve të ndaluar, duke përfshirë anëtarët e Dumës ruse të cilët votuan për njohje, si dhe shumë anëtarë të Qeverisë, drejtues të institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Përgjigja ndaj pushtimit rus Ukrainës – paketa e re e sanksioneve e 25 shkurtit kombinon llojet ekzistuese të sanksioneve, por me një gamë më të gjerë dhe subjekte të synuara. Zyrtarët e BE-së thonë se bllokimi i aksesit në tregjet financiare të BE-së synon 70% të tregut bankar të Rusisë dhe presin që masa të rrisë seriozisht koston e kapitalit për institucionet financiare ruse dhe të godasë rëndë ekonominë ruse. Depozitat e qytetarëve rusë në BE u kufizuan në 100.000 euro. Ende në fuqi është ndalesa për shitjen e aeroplanëve dhe pjesëve rezervë për ta, shitjen e mallrave me përdorim të dyfishtë (sensorë, lazer, pajisje telekomunikacioni, etj.), si dhe kufizim të eksportit të pjesëve për prodhimin e pajisjeve për prodhimtari të produkteve të teknologjisë së lartë (gjysmëpërçues, pjesë të nevojshme për industrinë e naftës). Është shtrënguar edhe politika e vizave.

Në listën e njerëzve të cilëve u është ngrirë prona në BE (që aktualisht numëron 670 persona) tani u përfshi edhe Presidentin Rus Putin, si dhe Ministri i Jashtëm Lavrov, por nuk ka përgjigje se çfarë do të thotë kjo në praktikë, sepse nuk ka informacion nëse dhe sa pasuri kanë ata në BE.

Arsenali më i rrezikshëm i masave nuk është shkrepur, mbase për faktin se është më i rrezikshëm edhe për ata që e shkrepin. Shtetet anëtare kanë qenë ndara rreth mundësisë për përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT, ashtu që me këtë nuk janë pajtuar Gjermania, Italia dhe Hungaria. Ky vendim shpjegohet me nevojën “që të mos shkrepet menjëherë i tërë arsenali”, por sigurisht arsye kyçe është se kjo do të prekte rëndë bizneset në BE dhe veçanërisht pagesën e gazit, që mund të çonte në ndërprerjen e dërgesës. Është e qartë përse nuk preket arsenali më i fortë – kufizimet në importet e gazit dhe naftës: 40% e gazit dhe 25% e naftës në BE vijnë nga Rusia.

Megjithëse ka pikëpamje të ndryshme për atë se sa sanksionet e deritanishme kanë kontribuar për normat relativisht të ulëta të rritjes së PBB-së së Rusisë, shumica (përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar) këto tendenca të PBB-së ia atribuojnë faktorëve të tjerë. Sipas FMN-së, çmimet e naftës dhe gazit kanë pasur ndikim shumë më të madh se sa sanksionet. Konsiderohet se  më së shumti janë goditur kompanitë të cilave u është kufizuar qasja deri te financat.

Nga ana tjetër, Rusia ka vendosur kundër-sanksione, si për shembull ndalimin e importeve nga vendet që kanë vendosur sanksione (kryesisht ushqim), ndërkohë që paralelisht ka realizuar politikë të zëvendësimit të këtyre importeve. Masa kryesore e Rusisë gjatë përgatitjes për sanksionet e reja ka qenë rritja e rezervave shtetërore, të cilat janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Bilanci tregtar i Rusisë është pozitiv dhe borxhi i saj i jashtëm është i ulët (29% në 2020). Përveç kësaj, si një alternativë ndaj përjashtimit të mundshëm nga sistemi SWIFT, Rusia e ka përgatitur sistemin e saj, ndërsa me Kinën ka zhvilluar sistem të veçantë.

Shumica e ekspertëve pajtohen se sanksionet mund të jenë efektive vetëm në afat të gjatë. Megjithatë, parashikimet janë të kujdesshme në lidhje me përmasat e pasojave dhe qëndrueshmërinë e Rusisë. Shumica pajtohet se sanksionet sigurisht që do të godasin rëndë ekonominë tashmë të brishtë globale, veçanërisht duke rritur çmimet e lëndëve energjetike dhe grurit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button