Turqia refuzoi kërkesën e Ukrainës
Turqia ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për të mbyllur ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për të mos lejuar kalimin e anijeve luftarake ruse, raporton EN. Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu duke folur nga Kazakistani shpjegoi se sipas Konventës së Montreux-it, Rusia ka të drejtë për të kthyer anijet në bazën e saj në Detin e Zi.
Sipas tij kjo do të thotë se Turqia nuk ka të drejtë që të mbyllë ngushticat për t’u ndaluar kalimin anijeve që vijnë nga Mesdheu.
Në vitin 1936, superfuqitë e atëhershëm që përfshinin Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Sovjetik dhe Francën, ranë dakord në Montreux të Zvicrës, që Turqia do të kontrollonte Bosforin dhe Dardanelet, si pasojë e afërsisë së saj me Rusinë, Ukrainën, Rumaninë, Bullgarinë dhe Gjeorgjinë në Detin e Zi.
Përveç kontrollit të këtyre ngushticave, Konventa i dha Turqisë fuqinë që të vendosë mbi trafikun e anijeve ushtarake, përfshi këtu edhe mbylljen totale të këtyre ngushticave në rast lufte apo konflikti.
Nga ana tjetër presidenti i Turqisë, Erdogan i ka bërë thirrje NATO-s që të marrë hapa vendimtarë për të ndihmuar Ukrainën.
Sipas tij liderët e BE vetëm po japin këshilla në vend që të bënin veprime konkrete.
Deklarata e tij erdhi pas komunikatës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se vendi i tij është lënë vetëm përballë Rusisë dhe vendet e tjera po vëzhgojnë luftën nga distanca”.