Kanadaja evakuoi ushtarët e saj nga Ukraina
Kanadaja ka evakuuar personelin e saj ushtarak në Ukrainë që ndodhej në këtë vend për të trajnuar policinë dhe njësitë ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Si pasojë e mjedisit operacional kompleks të lidhur me agresivitetin e padrejtë të Rusisë kundër Ukrainës, komponentët e Misionit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Kanadasë ndodhen në procesin rivendosjes në mënyrë të përkohshme në vende të tjera të Evropës”, thuhet në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kanadasë.
Sipas deklaratës, pozicionimi i përkohshëm nuk nënkupton përfundimin e misionit dhe vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e personelit ushtarak.
“Prioriteti më i rëndësishëm i misionit tonë të trajnimit ku siguria operacionale është një komponent i rëndësishëm, është mbrojtja e personelit tonë. Për këtë arsye edhe pse konfirmojmë vendosjen jashtë Ukrainës të disa forcave tona, ne nuk do të diskutojmë vendet ose detyrat e tyre në të ardhmen. Forcat e Armatosura të Kanadasë vazhdojnë angazhimin e tyre për popullin e Ukrainës dhe misionin e saj për të rritur kapacitetin e forcave të sigurisë”, theksohet në deklaratë.
Në anën tjetër, sipas lajmeve të pasqyruara në shtypin kanadez, njësia ushtarake e Kanadasë e përbërë nga rreth 260 ushtarë është transferuar në Poloni.
Po ashtu edhe Ministria e Jashtme e Kanadasë ka transferuar në qytetin Lviv në kufi me Poloninë, personelin dhe operacionet e saj diplomatike të ambasadës në Kiev.
Ministria e Jashtme e Kanadasë edhe më parë ka evakuuar nga Ukraina familjet e personelit diplomatik dhe ka pakësuar numrin e personelit të saj.