Kush ndikon në situatën në Mal të Zi?

Në Mal të Zi janë duke vazhduar negociatat për formimin e Qeverisë së pakicës, të cilën e ka propozuar udhëheqësi i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, raporton REL. Propozimi është dhënë për zgjidhjen e krizës politike, e cila në javën e parë të shkurtit ka rezultuar me votën e mosbesimit ndaj Qeverisë dhe me shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.

URA e Abazoviqit ka votuar për këto shkarkime, bashkë me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq, e cila ka premtuar mbështetje për konceptin e një Qeverie të pakicës.

Ky bashkëpunim parlamentar ka qenë edhe arsye e protestës së partnerëve të mëparshëm të Abazoviqit, Frontit Demokratik dhe Demokratëve. Dy të fundit dhe URA kanë formuar Qeverinë pas zgjedhjeve të gushtit, 2020, duke e çuar DPS-në në opozitë, pas 30 vjetësh.

Megjithatë, përplasjet mes fituesve të zgjedhjeve, të cilat janë përhapur në Kuvend dhe Qeveri, e kanë shtyrë Lëvizjen URA, që për zhbllokimin e integrimit evropian, të propozojë shkarkimin e Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit. Për këtë më pas ka marrë mbështetjen e DPS-së.

Për Qeverinë e re po negocion Abazoviq, i cili ka vënë kushte që në përbërjen e saj të mos ketë kuadër të DPS-së.

Skenari më real është që ajo të përfshijë partitë e popujve pakicë dhe nga partitë pro-serbe, Partinë Popullore Socialiste (SNP), e cila ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Fronti Demokratik pro-serb dhe Demokratët kanë thënë se nuk e shohin veten në një qeveri që do të mbështetej nga DPS-ja.

Fronti Demokratik këmbëngul që Qeveria e re të formohet nga anëtarët e deritashëm të shumicës qeverisëse dhe partitë e pakicave kombëtare, ndërsa Demokratët e kryetarit të shkarkuar të Kuvendit, Aleksa Beçiq, bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Sipas tyre, URA “ka tradhtuar rezultatin zgjedhor dhe vullnetin e popullit” dhe “ka krijuar hapësirë për rikthimin e DPS-së në pushtet”.

Nëse kriza aktuale institucionale – në të cilën është e paqartë se kush është shumicë parlamentare dhe kush opozitë – nuk zgjidhet me konceptin e një Qeverie të pakicës, atëherë do të pasojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rezultati mund të ndikohet nga disa faktorë: qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare; ndikimi i Beogradit, i cili ka favoritët e tij politikë në Mal të Zi; sjellja e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), e cila gjatë vitit të fundit ka ndikuar fuqishëm në proceset politike në këtë vend, por edhe nga uniteti i partive që i rezistojnë Qeverisë së pakicës.

Brukseli dhe Uashingtoni

Abazoviq ka thënë se pret mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për formimin e një Qeverie të pakicës, e cila do të zhbllokonte rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian.

Zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero, ka thënë më 5 shkurt se “formimi i Qeverisë së re është përgjegjësi e akterëve politikë në Mal të Zi”.

“Ne besojmë se kjo do të ndodhë pa vonesa të panevojshme”, ka thënë ajo.

Analisti politik nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Brukseli dhe Uashingtoni duan që Qeveria e re në Mal të Zi të formohet sa më shpejt.

“Ata duan që kjo të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të mos humbet kohë dhe që vendi të mos futet në paqëndrueshmëri të mëtejshme. Natyrisht se komuniteti ndërkombëtar nuk do të shprehë zgjidhje personale për Qeverinë e ardhshme, por ata duan qartë që ajo të jetë pro-evropiane dhe e fokusuar në procesin e anëtarësimit [në BE]”, thotë Vujoviq.

Gjatë një vizite në Podgoricë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka vënë në dukje mungesën e përpjekjeve që synojnë integrimin e Malit të Zi në BE dhe dominimin e çështjeve fetare dhe etnike në shoqërinë malazeze.

Shkuarja e Abazoviqit në Shtetet e Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, dhe pastaj vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, në Mal të Zi, kanë përkuar po ashtu me bisedimet për ristrukturimin e skenës politike në Mal të Zi.

Escobar ka thënë vazhdimisht se Fronti Demokratik nuk është partner i Shteteve të Bashkuara, për shkak të fokusit të tij në përçarjet etnike.

Vujoviq, megjithatë, shpreh frikën se lëvizjet e paralajmëruara të Qeverisë së pakicës do ta ngadalësojnë dinamikën që pret Perëndimi.

“Dinamika, në të cilën këmbëngulin Brukseli dhe Uashingtoni, mund të vihet në pikëpyetje, për shkak të prioriteteve të Qeverisë së ardhshme, e cila, siç ka paralajmëruar Abazoviq, fillimisht do të zgjidhë çështje, si: Marrëveshja Themelore për Kishën Ortodokse Serbe, regjistrimi i popullsisë dhe disa të tjera nga agjenda e Beogradit dhe [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq, e për të cilat nuk do ta ketë mbështetjen e opozitës”, thotë Vujoviq.

Sipas tij, është interesant fakti që kandidati për kryeministër të ri, Abazoviq, së voni ka shkuar në Beograd për bisedime me patriarkun serb, Porfirije.

Demokratët dhe Fronti Demokratik protestojnë kundër Qeverisë së pakicës

Ndërkohë që negociatat për Qeverinë e pakicës janë duke u zhvilluar, Demokratët organizojnë protesta kundër “ndryshimit të vullnetit elektoral të qytetarëve” dhe, siç thonë, “tradhtisë së URA-s”. Në protesta pritet t’i mbështesin edhe përkrahësit e Frontit Demokratik.

Gjatë seancës, në të cilën udhëheqësi i Demokratëve, Aleksa Beçiq, është shkarkuar nga posti i kryetarit të Kuvendit, deputeti i tyre, Boris Bogdanoviq ka kërcënuar se “do ta çojë Malin e Zi në këmbë”, për shkak të atij shkarkimi.

Demokratët dhe deputetët e partive më të vogla pro-serbe dhe ministrat besnikë të kryeministrit të shkarkuar, Krivokapiq, kanë organizuar protesta edhe në janar – në formë të liturgjive kishtare – duke e akuzuar URA-n e Abazoviqit “për tradhti dhe pakt me DPS-në”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Pisonero, ka thënë më 9 shkurt se BE-ja i ndjek nga afër zhvillimet në Mal të Zi. Megjithëse liria e tubimit është e drejtë themelore, ajo duhet të ushtrohet me respekt të plotë ndaj sundimit të ligjit dhe rendit publik, ka thënë Pisonero.

Në vazhdën e liturgjive masive të Kishës Ortodokse Serbe gjatë vitit 2020, të cilat janë mbështetur nga opozita e atëhershme, në Mal të Zi ka ndodhur ndërrimi i pushtetit në gusht të atij viti.

Ndikimi i Vuçiqit dhe efektet e protestave

Sipas Vujoviqit, efekti i protestave të paralajmëruara nga ish-partitë e pushtetit, Fronti Demokratik dhe Demokratët, do të varet nga mbështetja e autoriteteve në Serbi, konkretisht e presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Nëse ajo mbështetje është si në vitin 2020, kur Qeveria në Beograd nuk ka pyetur se sa para dhe burime duhet të investohen në Mal të Zi për të ndikuar në ngjarjet e atëhershme politike, domethënë për ndryshimin e Qeverisë, atëherë këto protesta do të kenë efekt të fortë”, thekson Vujoviq.

Megjithatë, ai shton se Vuçiq do të jetë më pak i fokusuar në Mal të Zi, për shkak të zgjedhjeve në Serbi, që do të mbahen në muajin prill.

Vetë Vuçiq ka thënë se “nuk do të merret me rënien e Qeverisë në Mal të Zi, sepse kjo është çështje e një shteti tjetër”.

Por, ai e ka akuzuar Gjukanoviqin për anti-serbizëm, për shkak të deklaratës së supozuar se “agresioni i Serbisë së madhe ndaj Malit të Zi ka dështuar”.

DPS-ja e Gjukanoviqit ka mohuar se ky i fundit i ka lidhur ndryshimet aktuale në skenën politike me “agresionin e Serbisë së madhe”.

Fronti Demokratik ka bashkëpunim të ngushtë me Vuçiqin dhe partinë e tij në Serbi.

Deri më tash, zyrtarët e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë nuk e kanë komentuar rënien e Qeverisë së Krivokapiqit.

Roli dhe ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe

Që nga viti 2020, Kisha Ortodokse Serbe është bërë aktor politik, që përcakton Qeverinë dhe emëron kryeministrin, thotë Vujoviq.

Ai pret që Kisha Ortodokse Serbe të përpiqet ta ruajë ndikimin e saj edhe në Qeverinë e re.

“Edhe tani, pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, Kisha Ortodokse Serbe do të përpiqet të ushtrojë ndikim në Qeverinë e pakicës dhe atë përmes Partisë Popullore Socialiste”, thotë Vujoviq.

Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, ka thënë më 30 janar se Kisha nuk do të marrë pjesë në “vulgaritete politike”, nuk do të përçajë popullin dhe nuk do ta shikojë popullin përmes partive.

Megjithatë, tri ditë më vonë, Kisha Ortodokse Serbe ka lëshuar një deklaratë të katër peshkopëve “me juridiksion në Mal të Zi”, të cilët kanë thënë se presin që fituesit e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për Qeverinë aktuale ose të re, e cila nuk përfshin DPS-në.

“Lufta për lirinë e besimit nuk ka përfunduar ende dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, prej dekadash, vuan shpifje dhe padrejtësi të neveritshme nga regjimi i mëparshëm, përfaqësuesit politikë të të cilit, edhe pas disfatës në zgjedhjet e 30 gushtit, 2020, kanë përhapur urrejtje dhe jotolerancë ndaj Kishës sonë”, thuhet në deklaratë.

Branka Boshnjak, nënkryetare e Kuvendit të Malit të Zi dhe deputete e Lëvizjes për Ndryshime – pjesë e Frontit Demokratik – ka thënë se në tempullin e Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë po themelohen parti.

“Ju nuk mendoni se ne e dimë se një parti e re po krijohet në tempullin në Podgoricë, se disa priftërinj po u bëjnë thirrje disa anëtarëve tanë të partisë që t’iu bashkohen atyre për të formuar një parti. Gjithçka dihet”, ka thënë Boshnjak në seancën e Kuvendit të Malit të Zi më 4 shkurt.

Kleri i tempullit në Podgoricë i ka hedhur poshtë këto akuza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button