Kosovë, gati gjysma e komunave pa noterë

Nga 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter, ndërsa numri i përgjithshëm i këtyre juristëve profesionalë është 57, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Numër më i madh i noterëve kërkohet me Ligjin e ri të Noterisë, të miratuar në vitin 2018. Një procedurë për emërimin e noterëve të rinj ka nisur në vitin 2019, por është anuluar.

Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.

Komuna e Rahovecit, që gjendet në jugperëndim të Kosovës, ka më shumë se dy vjet që është pa asnjë noter.

Për të noterizuar një dokument, qytetarët e Rahovecit duhet të shkojnë në komunat e afërta.

Në një situatë të tillë shpesh gjendet Shpend Gashi, nga fshati Kramavik i Rahovecit, i cili qysh në vitin 2008 drejton një kompani gurthyesish.

“Shumë shpesh na duhet të shkojmë te noteri për një vërtetim të diplomës ose një autorizim të automjetit. Më herët i kemi pasur në Rahovec dhe kryenim punë më afër. Tash duhet të shkojmë në Gjakovë, Suharekë, Prizren ose Prishtinë. Sot e martë, 8 shkurt kam qenë në Prishtinë, kam qenë te katër noterë, asnjëri nuk më ka kryer punë”, rrëfen Gashi për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur se përse nuk i është noterizuar dokumenti, Gashi thotë se vlera e punës që ka kërkuar t’i kryhet “ka qenë e vogël”.

Çmimi për një faqe të dokumentit që duhet të noterizohet është 1.18 euro.

Përveç Rahovecit, aktualisht pa noterë janë edhe komunat: Istog, Obiliq, Skenderaj, Malishevë, Junik, Han i Elezit, Mamushë, Ranillug, Kllokot, Partesh, Kamenicë, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Noteri Sefadin Blakaj, i cili është pjesë e Odës së Noterëve të Kosovës, thotë se, në bazë të Ligjit për Noterinë, një noter duhet të jetë i disponueshëm për 10,000 banorë.

Kjo i bie që Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, do të duhej të kishte më shumë se 170 noterë. Me ligjin e mëparshëm parashihej një noter për 20,000 banorë.

“Në komuna të mëdha ka noterë më shumë dhe qasja e qytetarëve është më e lehtë. Probleme ka në regjionin e Pejës, qytetarët e Istogut për disa vite nuk kanë qasje të mirë në noterë dhe detyrohen të shkojnë në Pejë. Po ashtu, edhe komuna të tjera kanë mbetur pa noterë”, tha Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button