BDI-së i vjen keq se nuk marrim datë për bisedime me Brukselin

Çështja e emrit është pengesa kryesore që bllokon vendin në rrugën e saj euro-atlantike, Maqedonia nuk ka bërë progres në këtë sferë kurse BDI-ja vazhdon të jetë e angazhuar me të gjitha kapacitetet për të ndikuar në zgjidhjen e saj.

Kështu është shprehur zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim për Alsat në lidhje me paralajmërimet e Irlandës se Maqedonia nuk do të merr as datë e as konkluzion në këtë Samit.

“Duhet të fillojë të ndërtohet dialogu i drejtpërdrejtë ndërmjet palëve për të gjetur kompromisin, pa gjetjen e këtij kompromisi nuk ka lëvizje, është e qartë, drejt euro-integrimeve.

Mendojmë se është kohë e shkurtër që këto ditë para Samitit të ndërtohet ky dialog dhe mbi të, të krijohet kompromisi por jemi të bindur se koha deri në Samitin e dhjetorit është më se e mjaftueshme që ky dialog të përfundojë me kompromis dhe të debllokohet procesi.

Natyrisht se ne shprehim keqardhje se në këtë Samit nuk do ta arrijmë atë lëvizje përpara, por zgjidhja e çështjes së emrit është kapislla e cila do të iniciojë proceset e tjera andaj fokusi është në këtë drejtim dhe në bazë të propozimit të z.Nimicit kjo periudhë do të duhet të shfrytëzohet që kompromisi të gjendet deri në dhjetor”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button