RMV, është vendosur sistemi i avancuar i komunikimit policor me fondet e BE-së

Sot, në Klubin e deputetëve në Shkup, ambasadori David Geer, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, shënuan kompletimin e vendosjes dhe përgatitjes së sistemit radio-komunikues TETRA të zhvilluar me ndihmën e konsiderueshme të BE-së, transmeton Portalb.mk

TETRA është një nga standardet e aplikuara në mbarë botën në sistemet e komunikimit, i dedikuar për përdorim nga policia, shërbimet zjarrfikëse, ndihmën mjekësore urgjente dhe shërbimet e ndryshme të shpëtimit.  Pas pesëmbëdhjetë vitesh zbatim dhe investimit me vlerë 22 milionë euro në pajisje dhe aftësi, Ministria e Punëve të Brendshme tashmë mund të operojë me mjete të avancuara komunikimi.

Që nga viti 2005, Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për Ministrinë e Punëve të Brendshme për përgatitjen dhe zhvillimin e sistemit digjital të radio komunikimit celular (TETRA). Ndihma e BE-së për zhvillimin e TETRA-s është shtrirë në 4 faza në një periudhë 15-vjeçare dhe është ofruar në kuadër të programit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në Maqedoninë e Veriut.

Mbështetja prej 22 milionë euro e BE-së mundësoi ngritjen e 106 stacioneve bazë që ofrojnë 93% mbulim gjeografik të territorit të vendit. Në të njëjtën kohë, këto stacione bazë do të shërbejnë 10,000 terminale që përdoren edhe nga institucione të tjera. Me funksionimin e plotë të TETRA-s, policia mund të kryejë punën e saj në mënyrë më efektive dhe të sigurojë mbrojtje më të mirë për qytetarët dhe stafin e policisë në luftën kundër krimit ose kundër veprimtarive të paligjshme kufitare. Me këtë sistem Maqedonia e Veriut mbetet e lidhur me pjesën tjetër të Evropës në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme përgjatë korridoreve dhe kanaleve kryesore evropiane.

Gjithashtu, TETRA do të bëhet një nga kanalet më të rëndësishme të komunikimit të sistemit të unifikuar evropian për raste urgjente E-112, i cili duhet të vihet në funksion për disa ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button