“Rusia pushton Ukrainën”, Bloomberg kërkoi falje për gafën

Shtëpia amerikane e lajmeve Bloomberg ka kërkuar falje pasi raportoi aksidentalisht se Rusia kishte pushtuar Ukrainën, raporton AA, transmeton Portalb.mk.

Kryetitulli “Live: Rusia pushton Ukrainën” doli në faqen kryesore të faqes së lajmeve financiare rreth orës 21:00 GMT.

Olga Lautman, analiste dhe studiuese e fokusuar në krizën Rusi-Ukrainë, postoi një “screenshot” të gabimit në mediat sociale.

Ajo tha se titulli u hoq pas më shumë se 30 minutash.

Bloomberg kërkoi falje pak më shumë se dy orë pas publikimit të titullit.

“Ne përgatisim tituj për shumë skenarë kurse titulli ‘Rusia pushton Ukrainën’ u publikua pa dashje rreth orës 16:00 sot në faqen tonë të internetit”, thuhet në deklaratën nga Bloomberg.

“Na vjen shumë keq për gabimin. Titulli është hequr dhe ne jemi duke hetuar shkakun”, shtoi Bloomberg.

Ndërsa tensionet rriten në kufirin RusiUkrainë, vendet perëndimore të udhëhequra nga SHBA-ja kanë paralajmëruar për një sulm të afërt nga Moska.

Rusia i ka mohuar vazhdimisht pretendimet, duke akuzuar Washington-in dhe aleatët e saj për përshkallëzim të qëllimshëm të situatës.

Gabimi i Bloomberg-ut vjen vetëm disa ditë pasi Moska sulmoi mediat amerikane për përhapjen e “informacioneve të rreme dhe provokuese” në lidhje me situatën në Ukrainë.

“Fatkeqësisht, mediat amerikane në muajt e fundit kanë publikuar një sasi shumë të madhe informacionesh të paverifikuara, të shtrembëruara dhe qëllimisht të rreme dhe provokuese për atë që po ndodh në Ukrainë dhe rreth saj”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të hënën e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button