Pendarovski për vizitën e përfaqësuesit Stuart Peach: Është konfirmim i përkushtimit të Britanisë në stabilitetin e rajonit

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti në takim Stuart Peach, përfaqësues special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Pendarovski shprehu kënaqësinë për vizitën e Peach menjëherë pas emërimit të tij në dhjetor 2021. Vizita, siç vlerësoi presidenti, është konfirmim i përkushtimit të Mbretërisë së Bashkuar për ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, transmeton Portalb.mk.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në vend dhe rajon, si dhe mundësitë për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për tema me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe sigurinë, si dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në takim, siç thuhet në kumtesë, u bisedua edhe për çështjet lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe dialogun aktual me Republikën e Bullgarisë. Presidenti Pendarovski e informoi Stuart Peach për ecurinë e dialogut ndërmjet dy vendeve. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për interesimin dhe mbështetjen për dialogun maqedono-bullgar dhe nënvizoi se tejkalimi i bllokadës për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian do të sjellë parashikueshmëri dhe stabilitet shtesë në Ballkanin Perëndimor.

Bashkëbiseduesit, ndër të tjera, biseduan edhe për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe për sigurimin e mbështetjes së mëtutjeshme britanike në më shumë fusha dhe forma.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button