RMV, ligji për mbrojtjen e infrastrukturës kritike edhe pas dy vitesh ndodhet në fazë hartimi

Ligji i posaçëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, qysh në vitin 2019 është paraparë si obligim i vendit në Planin e përbashkët aksional për luftimin e terrorizmit, që  është nënshkruar me Komisionin Evropian dhe me të cilin vendi mori përsipër përgatitjen dhe miratimin e ligjit. Por duket se miratimi i një ligji të tillë do të marrë ende kohë, pasi, siç janë shprehur edhe më herët funksionarët, ky proces duhet të jetë paralel me sigurimin e kushteve dhe mjeteve për zbatimin e tij, forcimin e kapaciteteve institucionale përmes trajnimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet sektorit publik dhe privat. Gjithashtu, ky ligj edhe pas dy vitesh aktualisht ndodhet në fazën e hartimit, transmeton Portalb.mk

Sipas ministrit të MPB-së Oliver Spasovskit, mbrojtja e infrastrukturës kritike është para së gjithash përgjegjësi kombëtare, e konkretizuar përmes parimit të subsidiaritetit mbi të cilin bazohet Programi evropian për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

“Nëse nisemi nga këndvështrimi i përgjithshëm se infrastruktura kritike nënkupton gjithçka që është jetike për funksionimin dhe mbijetesën e një komuniteti apo shoqërie, është i pashmangshëm konkluzioni se ajo është një segment thelbësor i sigurisë kombëtare dhe mbrojtja e saj është një nga prioritetet e çdo shtet”, deklaroi ministri Spasovski gjatë debatit online të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoni organizuar nga Lëvizja Evropiane.

Oliver Spasovski,
Oliver Spasovski,

Ai iu referua nevojës për zgjidhje konceptuale gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe nevojës për qasje të integruar, gjegjësisht ndërtimin e një koncepti sistematik dhe të plotë të mbrojtjes së infrastrukturës kritike, duke identifikuar të gjitha kapacitetet relevante në sektorin publik dhe privat.

“Duke marrë për bazë Direktivën e Bashkimit Evropian të vitit 2008 në konceptimin e zgjidhjes së ardhshme, duke ndjekur parimet bazë të Konceptit Evropian për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, mbrojtja efektive imponon nevojën e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm të të gjitha subjekteve përkatëse. Kjo nënkupton shkëmbim në kohë dhe të vazhdueshëm të të dhënave për rreziqet, kërcënimet dhe dobësitë e infrastrukturës kritike, duke krijuar një mjedis besimi dhe mbrojtje të siguruar të të dhënave të përbashkëta”, theksoi ministri Spasovski.

Rrezikimi i kësaj infrastrukture, siç u tha në këtë debat, pamundëson mbrojtjen, rrezikon sigurinë dhe shëndetin e njerëzve, shkatërron ekonominë dhe ndërpret funksionimin normal të shoqërisë.

Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit, Zllatko Apostolloski, tha se në periudhën e fundit kemi arritur të ngremë nivelin e infrastrukturës kritike.

“Tashmë po hyjmë në aktivitete serioze për hartimin e ligjit. U dakorduam për procedurat e hartimit të ligjit. Si Komitet nacional, këtë çështje ne e kemi vendosur lartë në agjendën tonë. Por, me këtë nuk përfundojnë problemet, por hapen edhe çështje të reja që duhet të diskutohen në një forum më të gjerë si ky dhe të organizohen punëtori, por edhe të përdoren praktikat më të mira”, tha Apostollski.

Ai theksoi se duhet të përgatitemi edhe për kërcënimet moderne si sulmet me dronë dhe sulmet kibernetike, të cilat janë bërë realitet dhe synojnë infrastrukturën kritike, prandaj nga aspekti i terrorizmit të nevojitet mbrojtje fizike dhe digjitale. Sipas tij, ndryshimet klimatike, si përmbytjet, tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore janë kërcënim serioz.

Toni Stankovski, ndihmës drejtor i njësisë për planifikim strategjik, standarde dhe kontroll të cilësisë në MPB, tha se policia tashmë i siguron institucionet shtetërore, misionet e huaja diplomatike, në mënyrë të pavarur, por edhe në bashkëpunim me subjektet tjera.

“Ndryshimet e vazhdueshëm dhe të shpejta bartin rreziqe të reja dhe infrastruktura kritike merr forma të reja dhe mbrojtja e saj duhet të zhvillohet paralelisht me ndryshimin. Identifikimi i rreziqeve duhet të jetë në kohë dhe shumë i rëndësishëm për të parandaluar kërcënimet. Asnjë objekt nuk duhet të konsiderohet imun ndaj sulmit,” tha Stankovski.

Eksperti Tërpe Stojanovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Manastir, tha se çështja e terrorizmit është një nga çështjet kyçe, që shihet edhe nga Raporti i BE-së për vendin tonë, ku trajtohet në nivelin e krimit të organizuar.

Drejtori i Aeroportit “Shën Apostull Pali” në Ohër, Gjorgji Alçeski, tha se qeveria është duke vendosur programe kombëtare të miratuara nga qeveria. Ai tha se ligji i ri duhet të miratohet në bazë të rregulloreve ndërkombëtare dhe pastaj të bëhen akte dhe programe të veçanta për sigurimin e objekteve të dhëna, si dhe trajnimin e personelit për këtë, sipas shembullit të aviacionit civil.

Profesoresha në Fakultetin e Sigurisë nga Manastiri, Marina Malish-Sazdovska, theksoi se me rastin e miratimit të ligjit duhet t’i kushtohet vëmendje karakteristikave, kapaciteteve dhe zgjidhjeve infrastrukturore të vendit tonë, e jo vetëm të parashikohet zgjidhja ligjore.

Margarita Caca Nikolovska tha se ligji duhet të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i arritshëm.

“Duhet të definohet saktësisht se çfarë është infrastruktura kritike, mënyrën e pranimit të asaj strukture dhe çfarë mund të kuptojnë qytetarët, pasi mbulon tema serioze dhe se duhet t’i kushtohet vëmendje të drejtave të njeriut”, tha ajo, duke theksuar se ligji duhet t’i prezantohet publikut të gjerë para se të miratohet, sepse ligji është i rëndësishëm, por edhe cilësia e ligjit, në mënyrë që të mos përfundojmë në një situatë ku të drejtat e njeriut nuk respektohen dhe shteti duhet të përgjigjet para gjykatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Për vendet aspirante, Bashkimi Evropian thekson nevojën për mbrojtje adekuate të sistemeve, pronës ose të gjitha segmenteve që janë thelbësore për mirëmbajtjen e funksioneve jetësore sociale, shëndetit, sigurisë, ekonomisë dhe mirëqenies njerëzore, dhe ndërprerja ose shkatërrimi i të cilave mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në funksionimin e të gjithë vendit.

Përndryshe, definicioni mbi infrastrukturën kritike ndryshon nga vendi në vend, kurse Maqedonia nuk e ka një definicion mbi të. Por, sipas definicioneve të vendeve të ndryshme të botës, infrastruktura kritike përbën: asetet, sistemet si dhe rrjetet, qofshin ato fizike apo virtuale të një shteti.

Ndërkohë, Kosova një ligj të till e ka miratuar qysh në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2019. Në raportin e Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë miratimi i këtij ligji e ka vendosur Kosovën një hap përpara shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk kanë miratuar një ligj të tillë, megjithëse zbatimi i tij në praktikë mbetet sfidues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button