Tetovë, konvikti që premtohet nga viti 2016-të, sërish premtohet për vitin e ardhshëm akademik

Premtohet që nga viti 2016, por ende nuk ka përfunduar konvikti studentor në Tetovë, autoritetet deri më tani vetëm kanë zgjatur afatet dhe premtimet për përfundimin e tij, i fundit ishte ish zëvendësministri i Arsimit Arafat Shabani i cili tha se para vitit të ri do të përfundonin punët, ndërkaq ministri i ri i Arsimit Jeton Shaqiri nuk saktësoi afat të ri, por tha që për vitin e ardhshëm akademik pritet të jetë gati, shkruan Portalb.mk

Ndonëse konvikti studentor në Tetovë është nevojë e madhe për studentët nga jashtë vendit dhe qyteteve tjera, kjo deri më tani nuk ka qenë motiv i mjaftueshëm që autoritetet të realizojnë projektin e premtuar nga viti 2016 për realizimin e këtij konvikti. Kështu duke shkelur afatet e realizimit dhe vazhdimisht duke premtuar afate të reja të përfundimit të projektit por pa rezultat përfundimtar deri më sot.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Reshat Qahili para tre ditëve në një deklaratë për shtyp u shpreh se objekti në anën formale veç më ka përfunduar por që duhen mjete shtesë për inventarin e brendshëm.

“Biseduam me ministrin, ai shprehu gatishmëri që në një rebalanc të buxhetit që do të ketë diku ndoshta nga muaji maj ose qershor më së voni parashihen mjete që të ndahen për inventarin e konviktit në mënyrë që vitin e ardhshëm akademik aty të ketë mundësi të gjejnë vend studentët e rinj”, tha Qahili.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri i pyetur për atë se a do të ketë përgjegjësi për shkeljen e afateve për realizimin e projektit tha se fillimisht do duhej të kërkohet përgjegjësi nga ana e tij si ministër nëse konvikti nuk fillon së shpejti të përgatitet.

“Qeveria në këtë dy vjeçar përballon sfidën e Covidit e cila është edhe e karakterit financiar. Duhet të marrim përgjegjësi që sa më shpejtë të jetë i kapshëm për studentët e ardhshëm”, tha Shaqiri.

Ndërkaq për atë se a ka datë të saktë kur kjo do të përfundojë, ministri u përgjigj kështu:

“Datë të saktë nuk mund të jap, por dëshira ime e madhe ashtu si e gjithë të tjerëve dhe studentëve tjerë është që në fillimin e vitit të ri akademik të kemi studentë të cilët do të vendosen në konvikte. Që të realizohet dëshira duhet të parashihen mjetet, të shihen të gjitha mundësitë financiare. Do t’i qëndroj kësaj problematike me të gjithë kapacitetin tim dhe gjithë mundësitë financiare për ti siguruar që konvikti të bëhet realitet.”

Për të parë se deri ku ishin punimet brenda, vizituam konviktin por ai ishte i mbyllur, ndërkaq më poshtë mund të shihni fotografi të realizuara nga Portalb.mk se si dukej konvikti nga brenda në muajin tetor të 2021:

This slideshow requires JavaScript.

Ndërtimi i shtëpisë studentore në Tetovë është investim me vlerë prej 166,5 milionë denarëve, objekti do të ketë 305 krevate. Përveç dhomave të fjetjes, në këtë shtëpi studentore është parapa të ketë edhe dhomë teknologjike, leximore, sallë ku studentët do të mund të ushtrojnë fitness, hapësirë për meze, etj.

Premtohet nga viti 2016

Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i konviktit studentor në Tetovë, bëhet fjalë për vitin 2016, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Kujtojmë se ministër i Arsimit dhe Shkencës në atë kohë ishte Abdylaqim Ademi.

Megjithatë, përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u morr në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të këtij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Së fundmi ish zëvendësministri i Arsimit, Arafat Shabani, tha se konvikti duhej të përfundonte para vitit të ri, por edhe kjo nuk u bë kështu.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i papërballueshëm për një student. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë. Ka studentë të cilët nga mungesa e konviktit detyrohen që të udhëtojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button