RMV, është rritur numri i riinfektimeve me Kovid-19, omikroni është detektuar në 12 qytete

Sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik, në periudhë 1 javore me 51 për qind është rritur numri i rasteve pozitive të testuar me SARS-CoV-2. Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Grupmoshat më të zakonshme janë 30-39 (27%), 20-29 (24%) dhe 40-49 (17%). Numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën 0-9 (2%). Rritja më e madhe e të infektuarve është në grupmoshën 20-29 vjeç si dhe në grupmoshën 30-39 vjeç. Në periudhë prej një jave, gjegjësisht nga 3 deri më 9 janar, janë raportuar 946 të riinfektuar, me rritje prej 7 herë krahasuar me një javë më parë, transmeton Portalb.mk.

Në laboratorin e virologjisë dhe diagnostikimit molekular të ISHP-së, në periudhën 05-10.01.2022 është bërë sekuencimi i gjithsej 152 mostrave pozitive të SARS-CoV-2 dhe në 104 prej tyre (68%) është zbuluar varianti Omicron. 

Varianti Omicron është zbuluar në 12 qytete: Shkup – 48, Ohër – 27, Koçan – 7, Tetovë – 6, Veles – 5, Pehçevë, Shtip, Gjevgjeli, Kavadar nga 2 dhe Vinicë, Negotinë, Manastir nga një i infektuar.

Sipas raportimeve nga spitalet, aktualisht në të gjithë vendin janë hospitalizuar 351 persona, 41% më shumë krahasuar me javën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të hospitaluzuar, 156 janë në Shkup. Në spitalet tjera në mbarë vendin, pacientë të hospitalizuar ka në Manastir, Shtip, Veles, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strugë, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë. Është rritur numri i vizitave ditore në repartet infektive nëpër spitalet në vend, numri i kontrolleve ditore ndonjëherë nëpër spitalet e Shkupit kalon 100 pacientë.

“Sipas anketave epidemiologjike shumica e pacientëve kanë pasur kontakt me rast pozitiv 3 ditë para rezultatit pozitiv”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri u bëjnë thirrje qytetarët që ndjejnë ndonjë simptomë, të bëjnë test dhe të izolohen për të parandaluar përhapjen e virusit.

Përndryshe numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 234.277, numri i të shëruarve është 215.852, numri i të vdekurve është 8.042 dhe numri i rasteve aktive është 10.383.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button