Radev: Hapja e negociatave mund të bëhet nëse RMV-ja përmbush disa kritere

Мë shumë se pesë orë, kreu shtetëror i Bullgarisë po i konfirmon pozicionet e Sofjes para vizitës së kryeministrit Kirill Petkov në Shkup. Para seancës së Këshillit konsultativ të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga presidenti bullgar Rumen Radev, disa pjesëmarrës kanë thënë se presin të dalin me qëndrim të përbashkët, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Radev mblodhi Këshillin muajin e kaluar, në mënyrë që, siç theksoi, Bullgaria të vazhdojë të zhvillojë dialog të hapur me Maqedoninë, por edhe të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend. Presidenti përshëndeti qasjen e re ndaj bisedimeve, të propozuar nga kryeministri Petkov, por ekspertët thonë se nuk do të ketë ndryshime thelbësore. Historiani bullgar Naum Kajçev, i cili është pjesë e Komisionit të përbashkët, nuk pret hap të rëndësishëm përpara nga vijat e kuqe.

“Duhet të ketë ndryshim, por ky ndryshim duhet të vijë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Në fakt, pritshmëria është një dhe është shumë elementare – të përmbushet Marrëveshja që kemi nënshkruar në 2017, e cila fatkeqësisht nuk zbatohet nga fqinjët tanë, si dhe puna e Komisionit të Përbashkët Historik”- deklaroi Naum Kajçev, nënkryetar i Komisionit të Përbashkët Historik.

Ndërsa Këshilli kryeson në ndërtesën e Presidencës, dhjetëra djathtistë të partisë VMRO-BND protestuan. Ata njoftuan se edhe me ndryshimin më të vogël të qëndrimit bullgar ndaj Maqedonisë, kësaj radhe nuk do të hedhin vezë, por gurë.

Megjithatë, nëse do ketë përparim me qasjen e re të Petkovit, do bëhet më e qartë në takimin e tij me Dimitar Kovaçevskin, të caktuar për ditën e martë të javës së ardhshme. Në ndërkohë, Parisi zyrtar, që kryeson me BE-në është optimist për debllokimin e procesit.

“Tani, me qeverinë e re bullgare si duket ka rrugë e cila duhet të definohet. Vetë qeveria tha se nevojiten disa muaj, patjetër të shënohemi në këtë kornizë, por gjithashtu qeveria hapi perspektivë dhe ajo mund të jetë shpresë se janë të mundshme rezultate para fundit të këtij gjysmëvjetori”, ka theksuar për Agjencinë e lajmeve MIA, një diplomat i lartë francez.

Radev tha se integrimi evropian i Shkupit ka ngecur por në mënyrë që ky proces të zhbllokohet Maqedonia duhet të përmbush disa kritere. Ai tha se procesi nuk duhet të kushtëzohet me afate, por me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë. Radev megjithatë tha se në disa sfera progresi është i mundur, gjë që do të ndihmonte në kthimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjes përfundimtare. Radev tha se Sofja pajtohet që Tirana të nisë negociatat me Bashkimin Evropian, pavarsisht nga zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.

“Rëndësi të veçantë kanë projektet që sigurojnë lidhje infrastrukturore, transporti, lidhje energjetike dhe digjitale, me theks të veçantë Korridori 8. Një gjë e tillë do të ndihmonte në shmangien e ngërçit mes të dyja shteteve, dhe do të nxiste procesin e negociatave. Zgjidhja e çështjeve të hapura politike do ta përmirësojë progresin në të gjitha këto sfera”, tha Radev.

Në mbledhjen e Këshillit siç deklaroi Radev janë dhënë rekomandimet si:

  • Gjatë vendosjes së politikës së brendshme, Këshilli Ministror të mbajë llogari për pozitën kombëtare të Bullgarisë, duke respektuar kërkesat e Marrëveshjes së vitit 2017, Kornizën nga viti 2019 dhe Deklaratën e 44-të të Kuvendit Kombëtar.
  • Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të lidhet për afate, por me rezultate reale, veçanërisht në raport me bullgarët e Maqedonisë.
  • Pushteti ekzekutiv të vazhdojë të angazhohet për njoftimin për realizimin e Marrëveshjes nga viti 2017 në procesin negociues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.
  • Pushteti ekzekutiv të përgatisë dhe sigurojë plan aksionar për masa për arritjen e një përparimi të dukshëm në të gjitha fushat në raportet bilaterale.
  • Pushteti ekzekutiv t’u propozojë partnerëve të RMV-së formimin e grupeve të punës në fushat në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017.
  • Pushtetet ekzekutive të ndërmarrin masa për përshpejtim të ndërtimit të Korridorit 8 bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – si projekt i vetëm për autostradat, hekurudhat, lidhjet energjetike dhe digjitale.
  • Kuvendi kombëtar duhet t’i propozojë trupit ligjvënës të Maqedonisë së Veriut vendosjen e dialogut të strukturuar ndërmjet grupeve për miqësi dhe komisione parlamentare, me të cilat do të përforcohej besimi dhe do të mbështetej procesi gjithëpërfshirës.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button