Falsifikimi i certifikatave të vaksinimit, fenomen i pranishëm edhe në RMV
Paralelisht me vendosjen e masës e cila obligonte qytetarët të cilët dëshirojnë të hyjnë në objekte hotelerike të mbyllura, të jenë të pajisur me certifikatë vaksinimi u shfaqën edhe personat të cilët krijonin certifikata të rrejshme. Së fundmi, një televizion grek kishte zbuluar skandalin e shpërndarjes së certifikatave të rrejshme në një kazino në Dojran. Ndërkaq deri tani MPB-ja ka kapur 8 persona me certifikata vaksinimi të falsifikuara në lokale ndërkaq 16 persona kanë tentuar të hyjnë në RMV me këto certifikata. Pse ndodh kjo dhe si mund të parandalohet, u përgjigj për Portalb.mk themeluesi i “LuckyMedia”, Lokman Musliu, shkruan Portalb.mk.
Përhapja e shpejtë e virusit korona kohë më parë i “detyroi” shtetet që të ndërmarrin masa restristive kundrejt personave të pavaksinuar, kështu duke prezantuar idenë e Certifikatave Digjitale Kovid-19, megjithatë, kjo nuk shkoi tërësisht sipas planit.
Zyrtarë të policisë nga Departamenti për Polici Kriminale dhe Policia e Strumicës dhe Gjevgjelisë më datë 5 janar, me urdhër gjykate, kanë kryer bastisje në disa lokacione për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale, gjegjësisht, për falsifikimin dhe më pas shpërndarjen e certifikatave të rrejshme të vaksinimit në disa kazino në Dojran.
Mediat greke kishin publikuar një storje ku pohohet se një kazino në afërsi të vendkalimit kufitar me Greqinë, vizitorëve u siguron certifikata të rrejshme negative të testimit, që ata mund të kthehen në Greqi.
Edhe pse kemi dërguar disa pyetje, nga Inspektorati i Tregut nuk përgjigjen se sa është numri i saktë i përsonave të cilët janë kapur me certifikata të rreme të vaksinimit.
Megjithatë, nga Ministria për Punë të Brendshme konfirmuar për Portalb.mk se deri më datë 17 janar 8 persona me certifikata të falsifikuara të vaksinimit janë kapur në Tetovë, Manastir dhe Shkup. Përveç kësaj, ka pasur edhe 16 gjoba për persona të cilët me certifikata të falsifikuara kanë tentuar të hyjnë në Maqedoninë e Veriut përmes dy pikave kufitare.
Pse ndodh kjo dhe si mund të parandalohet?
Lokman Musliu, themelues i “LuckyMedia” dhe njëkohësisht i diplomuar për Shkenca Kompjuterike potencoi se procesi i falsifikimit të certifikatave të vaksinimit është shumë i lehtë për shkak të mungesës së një mekanizmi të verifikimit të autenticitetit të tyre.
“Falsifikimi i certifikatave të vaksinimit aktualisht është shumë proces i lehtë. Më shumë do kisha thënë se kjo ndodhë për shkak se personi i cili kryen kontrollin, nuk ka mundësi të vërtetojë në qoftë se bëhet fjalë për certifikatë autentike të vaksinimit apo të falsifikuar. Kam vërejtur disa raste ku për verifikimin e certifikatave të vaksinimit janë përdorur “screenshots” të ndryshëm apo linqe të cilat të dërgojnë në ueb-faqe që duken njëjtë si ajo e ministrisë së Shëndetësisë, por në fakt janë të kopjuara tërësisht” tha Lokman Musliu për Portalb.mk.
Megjithatë, sipas Musliut zgjidhje ka edhe ajo është shumë e thjeshtë, ai propozoi që ministria e Shëndetësisë të krijojë një aplikacion të veçantë i cili do u lejonte punonjësve të objekteve gastronomike të kryejnë skenimin e certifikatave të vaksinimit para se t’i shërbejnë ata.
“Unë konsideroj se ky problem mund të rregullohet shumë lehtë. Ministria e Shëndetësisë duhet patjetër të krijojë një aplikacion i cili do ju mundësojë objekteve gastronomike të kryejnë skenimin e certifikatave të vaksinimit, ndërkaq personi i cili bën kontrollin do të mund të skenojë dhe të ketë qasje në këtë aplikacion. Skenimi në mënyrë të shpejtë të tregon në qoftë se certifikata e vaksinimit ekziston apo është e falsifikuar. Kjo në aspektiin e implementimit është shumë e thjeshtë, sepse të dhënat veçse ekzistojnë ndërkaq mungon realizimi” tha Musliu.
Ai shtoi se modeli më i mirë i cili duhet ndjekur për këtë është ai i Bashkimit Evropian, gjegjësisht tërheqja e tërësishme e sistemit aktual të brendshëm dhe zëvendësimi i tij me diçka të ngjashme si “CommonPass”.
“Një mënyrë tjetër për parandalimin e këtij fenomeni është edhe vendosja në fuqi e sistemeve evropiane, si “commonpas” dhe të tërhiqet gjithsej sistemi i brendshëm i certifikatave i cili ekziston aktualisht. Sa kam unë informacion, “commonpas” automatikisht verifikon autenticitetin dhe gjithashtu afatin e skadimit të vaksinave” shtoi Lokman Musliu nga “LuckyMedia”.
Certifikata digjitale COVID19 e BE-së është provë digjitale se një person:
- Është plotësisht i vaksinuar ndaj COVID19
- E ka kaluar sëmundjen COVID19
- Posedon rezultat negativ të testit COVID19
Deri më tani, 33 vende (dhe territore) jo-anëtare të BE-së i janë bashkuar sistemit të certifikatave digjitale të BE-së për COVID. Përveç Kosovës dhe Bosnjës të gjitha vendet e Ballkanit janë të kyçura në sistemin e BE-së për lëshimin e certifikatave digjitale COVID19. Kjo certifikatë jepet në formë digjitale, por mundet edhe të printohet. Duhet patjetër të ketë QR kodin, jepet falas nga autoritetet shëndetësore, duhet të jetë në gjuhën kombëtare dhe angleze dhe është valide në çdo vend të BE-së.
Ndryshe, falsifikimi i dokumenteve të vaksinimit kundër virusit korona është shndërruar në një problem global, ashtu edhe për autoritetet e sigurisë në Gjermani, por ky problem është lënë shumë pas dore nga politika. Kryetari i autoriteteve për luftën kundër kriminitalitetit (BDK), Sebastian Fiedler, deklaroi për gazetën “Handelsblatt”: “Problemi ekziston tashmë dhe do të mbetet aktual për një kohë të gjatë, pasi me një vaksinim të plotë lirohesh nga kufizimet e të drejtave themelore ose, në të ardhmen, do të kesh përfitime për lëvizjen e lirë”. Ndaj edhe ata që refuzojnë vaksinimin do të jenë të interesuar të kenë këtë dokument për t’i ikur detyrimet e karantinimit.