OKB reagoi ndaj Kosovës që shpalli persona non grata zyrtarin e UNMIK-ut

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar ndaj qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit e shpalli persona non grata, një zyrtar të UNMIK-ut me mision në Kosovë, me shtetësi nga Rusia. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se shpallja e personit non grata nga qeveria e Kosovës “nuk është e aplikueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut”, shkruan DW.

Në natën e ndërrimit të viteve ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, bëri të ditur se me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, ka shpallur person të padëshiruar në Kosovë zyrtarin rus që punon në misionin e UNMIK-ut, për shkak të “veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cënuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”. Ministrja kërkoi nga organet e rendit që ta zbatojnë vendimin.

Screenshot Youtube Donika Gërvalla-Schwarz im Interview
Ministrja Gërvalla-Schwarz tha se “institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së”. Ministrja e Jashtme tha se “Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

OKB: Nuk ka kërkesë zyrtare

Nga ana tjetër, OKB-ja përmes zëdhënësit Stephane Dujarric, bëri të ditur se kjo organizatë është vënë në dijeni për deklaratën e autoriteteve të Kosovës, por komunikim zyrtar me misionin e UNMIK-ut nga qeveria e Kosovës nuk ka pasur.

“Doktrina e persona non grata nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë). Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i drejtohet udhëheqjes së misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë çështjen në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetet e UNMIK-ut dhe personelit të tij”, tha Durrajic.

Ai tha se “misioni i UNMIK-u dhe selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara po marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e pjesëtarit të personelit në fjalë dhe po ndjekin rrugët përkatëse për këtë çështje”.

MPJ deklaron ndryshe

Ministria e Jashtme e Kosovës i kundërshtoi deklaratat e zëdhënësit Durrajic se UNMIK-u nuk ishte njoftuar për vendimin e qeverisë së Kosovës. Shefi i stafit të ministres së Jashtme, Sharr Jakupi, tha për mediet lokale, se “misioni i UNMIK-ut është njoftuar nga ministria më datën 31 dhjetor të vitit 2021, për shpalljen e zyrtarit të tyre si person i padëshiruar në Kosovë.

Në fund të tetorit të vitit të shkuarqeveria e Kosovës pati shpallur persona non grata edhe dy zyrtarë rusë të Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë, për shkak se “ata kanë cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës”. Mediet lokale që zbuluan emrin e zyrtarit rus të UNMIK-ut që u shpall persona non grata, thonë se (A.N.A) kishte ardhur për herë të parë në Kosovë në vitin 2001 si pjesë e misionit me policisë ruse dhe kishte qëndruar në Kosovë një vit. Më pas ai ishte kthyer serish në Kosovë në vitin 2005 deri në vitin 2008, për t’u vendosur përfundimisht këtu në vitin 2011. Ai jeton në Graçanicë, një vendbanim ky me shumicë serbe, pesë kilometra larg Prishtinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button