Mbi dy milionë udhëtarë në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit 2021

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, ka njoftuar se deri pak ditë para përfundimit të muajit dhjetor, numri i udhëtarëve ka shkuar në mbi dy milionë, teksa tha se pret që ky numër të rritet edhe gjatë ditëve të mbetura të këtij muaji.

E ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Gara tha se numri më i madh i udhëtimeve vjen nga Zvicra dhe pasohet nga Gjermania. Ajo shtoi se numri i udhëtarëve të regjistruar në ANP pritet të rritet vitin e ardhshëm, duke kaluar shifrat 2.5 milionë.

“Për shkak të pandemisë, është një nivel i kënaqshëm i udhëtarëve dhe fluturimeve që nuk është pritur nga ne dhe aeroportet tjera të rajonit. Çdo vit shkon duke u shtuar numri i udhëtarëve, në vitin tjetër në rast se nuk do të ketë kufizime dhe masa të reja apo ndonjë variant të ri të virusit që do të parandalonte fluturimet ne presim të arrijmë një shifër diku rreth 2.5 milionë udhëtarë, një përqindje më e lartë nga ajo me të cilën presim ta përmbyllim këtë vit, e që është 2.1 milionë”, ka thënë Gara. “Të gjitha statistikat i mbledhim brenda ditës, ndërsa një përmbledhje të këtyre statistikave e bëjmë në fund të muajit dhe pas këtyre ditëve do të dalim me një përqindje. Zakonisht paraprin Zvicra, më pas udhëtime më së shumti ka nga Gjermania e vendet e tjera”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e ANP-së më tej ka treguar për rregullat tjera që duhet ndjekur qytetarët për të fluturuar, përveç kontrollit së pasaportës e vizës.

“Gjatë kësaj kohe përpos kontrollit të pasaportës, vizës, janë kërkuar edhe teste shtesë, dokumente të vaksinimit. Por ajo që ka shkaktuar një vonesë më të gjatë është plotësimi i formularëve që disa shtete i kanë kërkuar online, i cili pastaj duhet të dërgohet me e-mail”, tha ajo, duke theksuar se ka rregulla të cilat ndryshojnë shumë shpejt nga shtete të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button