Pendarovski e ndau mandatin për formim të Qeverisë së re, Kovaçevski: Paralajmëroj fokus të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit
Presidenti Stevo Pendarovski sot ia ndau mandatin për formim të Qeverisë së re lideri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Kovaçevki në deklaratën e dhënë pas marrjes së mandatit, tha se prej sot do të fillojë formimin e ekipit të ri të njerëzve të cilët duhet t’i përgjigjen sfidave serioze që na presin që nga fillimi i vitit të ardhshëm, shkruan Portalb.mk.
“Jetojmë në kohëra turbulente, kohëra të krizave dhe të pasigurive. Jemi të përballur me probleme shumëvjeçare që pengojnë përparimin e vendit dhe realizimin e qëllimeve strategjike. Kohërat e këtilla kërkojnë njerëz stabil, të përgjegjshëm dhe të guximshëm, që do të bartin përgjegjësi që të përballen dhe t’i tejkalojnë të gjitha pengesat me qëllim mbrojtjen dhe kujdesin ndaj qytetarëve”, tha Kovaçevski.
Ai më tej paralajmëroi fokus të fuqishëm të qeverisë së re në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbështetje financiare për familjet. Siç tha ai, Qeveria e re është përgjegjëse të sjell cilësi të re në komunikimin publik dhe bashkëpunim me të gjithë aktorët në shoqëri.
“Qeveria e re do të ketë qëllim të qartë, sigurimin e jetë më të mirë dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë, për këtë nevojitet qeverisje e ndershme, efikase dhe e përgjegjshme, që do të jetë pasqyrim i ekipit që do të formojë unë si mandatar. Synimi im personal është që ta kthejmë besimin e qytetarëve në politikë dhe institucione. Të gjithë së bashku duhet të përpiqemi të ndërtojmë institucione të pavarura dhe shoqëri të drejtë, nëse duam të na besojmë ata të cilëve u shërbejmë”, theksoi Kovaçevski.
Për ndarjen e mandatit duhet të njoftohet zyrtarisht edhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me çka edhe fillojnë të rrjedhin afatet ligjore. Kovaçevski ka afat ligjor prej 20 ditësh që të propozojë në Kuvend përbërjen e re të Qeverisë dhe e njëjta të votohet.
Megjithatë, vlerësimet e Kovaçevskit, por edhe të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi janë se nuk do të shkohet me afatet maksimale dhe se me gjasë 17 janari do të jetë dita e parë e punës për ministrat e ri.
“Pasi që presidenti do t’ia ndajë mandatin Kovaçevskit, Kuvendi duhet të njoftohet dhe të fillojnë të rrjedhin afatet. Maksimumi është 20 ditë, por unë nuk pres që mandatar të shfrytëzojë këtë afat. Vlerësoj se deri më 10 apo 11 janar në Kuvend do të arrijë propozim – përbërja e qeverisë së re, si dhe programi. Pas konsultimeve me grupet parlamentare, seanca për zgjedhje të qeverisë së re do të mund të caktohej për 15 janar, ndërsa deri në fund të ditës më 16 janar dhe ajo të zgjedhet”, deklaroi dje Xhaferi në konferencën vjetore për media në të cilën foli për punën e Kuvendit gjatë vitit.